Vdes ishoficeri sovjetik që shmangu një luftë bërthamore
AFP / ATSH
20 Shtator 2017
Një oficer sovjetik, i cili, në mes të Luftës së Ftohtë, refuzoi t’i besonte sistemit informatik që njoftonte një sulm amerikan me raketa kundër ish-Bashkimit Sovjetik dhe që ndoshta shmangu një konflikt bërthamor, ka vdekur pranë Moskës në moshën 77-vjeçare, u bë sot e ditur.
“Stanislav Petrov vdiq më 19 maj në apartamentin e tij në Friazino, 20 kilometra në verilindje të Moskës”, theksoi djali i tij, Dmitri.
Në vitin 1983, natën e 25-26 shtatorit, Stanislav Petrov, në atë kohë oficer garde në një bazë të alarmit strategjik në jug të Moskës, kishte në dispozicion vetëm disa momente për të interpretuar sinjalin e alarmit nga satelitët e mbikëqyrjes që e njoftuan për ”sulmin” nga pesë apo gjashtë raketa amerikane kundër ish-Bashkimit Sovjetik.
Petrov theksoi në atë kohë se një sulm amerikan duhet të përfshinte 100 raketa dhe jo pesë apo gjashtë dhe ai arriti në përfundimin se bëhej fjalë për një gabim të sistemit të alarmit.
Ai mori përsipër të njoftonte eprorët e tij jo për një sulm të mundshëm, por për një alarm të rremë.
Vendimi i tij mundësoi shmangien e një përgjigjeje sovjetike dhe shpërthimin e një konflikti bërthamor botëror, në një kohë tensioni të madh mes Uashingtonit dhe Moskës.
“Pas incidentit, ai qendroi në njësinë e tij për tre ditë. Ai u kthye në shtëpi shumë i lodhur, por nuk na tregoi asgjë”, tregon djali i tij 44-vjeçar.
Më pas, specialistët sovjetikë theksuan se alarmi i rremë kishte ndodhur si pasojë e një interpretimi të gabuar nga radarët të reflektimit të rrezeve të Diellit mbi re, bashkuar me çlirimin e energjisë së raketave në ngritje.
“Disa muaj pas incidentit, Stanislav mori një dekoratën ‘Për meritat në shërbim të Atdheut brenda forcave të armatosura’, pa asnjë shpjegim”, sipas Dmitrit.
Mbajtur sekret për 10 vite, incidenti do të zbulohej dy vjet pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, nga e përjavshmja “Soverchenno Sekretno” (Top Secret).
“Kur e përjavshmja ruse ‘Kommersant Vlast’ rifoli për këtë histori të vitit 1998, Perëndimi zbuloi një hero”, sipas Dmitrit.
“Pas kësaj, ai ka marrë qindra letra mirënjohjeje nga të gjitha anët e Evropës, por nuk e kuptoi kurrë shkakun e këtij reagimi kur ai kishte bërë vetëm punën e tij”, nënvizon djali i tij.
Ndaje me miqte