Vdes në moshën 87vjeçare ishkancelari Helmut Kohl
Tribuna
16 Qershor 2017
Partia e Helmut Kohlit, Bashkimi Kristjandemokrat, CDU, konfirmoi të premten të dhënat e medieve se ish-Kancelari ndërroi jetë. "Jemi në zi. U prehsh i qetë, Helmut Kohl", thuhet në mesazhin e shkurtër.
Helmut Kohli i dha emrin e tij një brezi të tërë - "brezit Kohl". Helmut Josef Michael Kohl lindi në Ludwigshafen në 3 prill 1930. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u bë anëtar i Bashkimit Kristjandemokrat (CDU). Gjatë kohës së studimeve të tij për histori, shkenca juridike dhe politikë ai vazhdoi aktivitetin në radhët e partisë.
Në vitin 1969, Helmut Kohli u zgjodh kryeministër i landit të Rheinland-Pfalzit. Në moshën 39 vjeçare ai qe kryeministri më i ri që e pati marrë ndonjëherë këtë post.
Por do të zgjaste deri në 1 tetor 1982, derisa Helmut Kohli të arrinte synimin e tij: postin e Kancelarit të Gjermanisë.
Me një mocion votëbesimi kundër Kancelarit socialdemokrat Helmut Schmidt, Kohli erdhi në pushtet. Më parë ai pati bindur kryetarin e partisë liberale, FDP, Hans-Dietrich Genscher, që t'i braktiste socialdemokratët dhe të kalonte në koalicion me CDU.
Kohli e arriti zenitin e karrierës së tij politike në vitin 1989 dhe 1990.
Politikat e Glaznostit dhe të Perestrojkës të Gorbaçovit në Bashkimin Sovjetik rezultuan me përfitim për të. Menjëherë pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në vitin 1989 Kohli mori iniciativën dhe hartoi një plan me dhjetë pika me synim ribashkimin e dy shteteve gjermane sa më shpejt që të ishte e mundur.
Kontribut të vecantë Helmut Kohl ka në avancimin e projektit evropian. Pas këmbënguljes kryesisht të Francës, për të avancuar bashkimin politik të Evropës, si kusht që Presidenti francez François Mitterrand të jepte dakordimin për bashkimin e Gjermanisë, Kohl dha aprovimin për avancimin e institutucioneve evropiane dhe ecjen drejt Marrëveshjes së Mastrihtit. Gjermania ra dakord të braktisë simbolin e saj ekonomik, monedhën më të fortë evropiane, monedhën gjermane, Dojçmark dhe zëvendësimin e saj me Euron.
I ndërgjegjshëm për rëndësinë e bashkimit politik të Evropës, Kohl do të shkruante në atë kohë se avancimi i arritur i ndërvarësive ekonomike dhe politike të Evropës, e bënte edhe praktikisht të pamundur kthimin pas, në epokën e luftërave në Evropë.
Në tetor 1998, një koalicion i Partisë Socialdemokrate dhe të Gjelbërve fitoi zgjedhjet parlamentare dhe pas 16 vjetësh - një rekord për Gjermaninë - Helmut Kohli u largua nga pushteti si Kancelar.
Datat kyçe të jetës dhe karrierës së Helmut Kohl
Datat kyçe të jetës dhe karrierës së ish-kancelarit Helmut Kohl, arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë, i cili vdiq sot në moshën 87 vjeç.
- 3 prill 1930 : Lind në Ludwigshafen (jug-perëndim) në një familje katolike dhe konservatore të borgjezisë së vogël.
- 1959 : Pas studimeve për Histori dhe Shkenca Politike, ai u emërua në Parlamentin rajonal në Rhénanie Palatinat, nën sloganin e Unionit kristian-demokrat (CDU) , parti ku ai u mori pjesë që në krijimin e saj, në periudhën e pas luftës.
- 12 qershor 1973: Gjatë një kongresi të partisë në Bon, Kohl u zgjodh lideri i CDU-së.
- 1 tetor 1982: Ai zgjidhet i gjashti kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë (RFA) pas votimit të një mocion mosbesimi në Bundestag (Dhoma e Ulët e Parlamentit) kundër kancelarit social-demokrat Helmut Schmidt. Helmut Kohl do të rizgjidhet në 1983, 1987, 1990 dhe 1994 duke mbajtur rekordin e jetëgjatësisë në krye të qeverisë në Gjermani që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
- 22 shtator 1984: Helmut Kohl dhe François Mitterrand takohen në Verdun për 70 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore.
- 1986 : Nënshkrimi i Aktit Unik Evropian, ku Kohl dhe Mitterrand ishin promotorët së bashku me Jacques Delors, presidentin e Komisionit Evropian.
- 9 nëntor 1989: Rrëzimi i Murit të Berlinit
-22 nëntor 1989: Kancelari prezanton një plan me 10 pika për të përfunduar me sukses në ribashkimin e dy Gjermanive.
- 3 tetor 1990: Vendi i ndarë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore u ribashkua dhe Kohl zgjidhet knacelari i parë i kësaj Gjermanie të re në përfundim të zgjedhjeve legjislative që pasuan, në dhjetor.
- 7 shkurt 1992 : Nënshkrimi i Traktatit të Mastrihtit , duke krijuar Bashkimin Ekonomik dhe monetar.
- 27 shtator 1998: Humbje në zgjedhjet legjislative. Kohl largohet nga pushteti pas 16 vite në krye të Kancelarisë dhe jep dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij.
- nëntor 1999: Fillesa e skandalit të arkave të zeza të CDU që e detyroi Kohl për të paguar dy vite më pas një gjobë prej 150.000 euro.
-16 qershor 2017 - Kohl vdes në Ludwigshafen.
Burimet: Deutsche Welle, AFP
Ndaje me miqte