Vendimi për zgjedhje mund të dalë bumerang për Tsiprasin
21 Gusht 2015
Kryeministri grek Aleksis Tsipras shpalli të enjten dorëheqjen e tij dhe të qeverisë që drejton, me qëllim që t’i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Por ky vendim mund të rezultojë një bumerang dhe madje të verë seriozisht në diskutim të ardhmen politike të liderit të së majtës radikale greke.
Me dhënien vullnetarisht të dorëheqjes, Tsipras shpresonte në një konsensus të partive të opozitës, për shkuarjen në zgjedhje. Dhe të enjten në mbrëmje, ndërsa Aleksis Tsipras ndodhej në takim me presidentin e republikës, gazetarët grekë dhe të huaj prisnin që nga ky takim të rezultonte data e mbajtjes së zgjedhjeve.
Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, nsërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që zgjedhjet të mos mbahen.
Përballë refuzimit të opozitës për konsensus, presidenti i epublikës, në zbatim të kushtetutës, ka mandatuar Evangelos Meimarakis, kryetarin e partisë më të madhe opozitare, Demokracia e re, që të eksplorojë mundësitë e krijimit të një qeverie të re.
Duke marrë mandatin, të premten paradite, Meimarakis deklaroi se ai do të përpiqet të krijojë një qeveri bashkëpunimi.
“Do të shqyrtojmë nëse ka gjasa për krijimin e një qeverie me kryeministër nga radhët e SYRIZA-s, që nga momenti që zoti Tsipras nuk dëshiron të mbetet në post”, deklaroi Meimarakis, duke shtuar se një kandidaturë mund të jetë Janis Dragasakis, aktualisht zëvendëskryeministër në qeverinë e dorëhequr.
Në rast se tentativat e Meimarakisit dështojnë, ai duhet t’ia kalojë mandatin forcës së tretë politike në vend, që tash e tutje do të jetë partia e re “Uniteti Popullor”. Kjo parti u shpall të premten, pasi 25 deputetë të së majtës ektreme të SYRIZA-s u larguan edhe zyrtarisht nga Tsipras dhe iu bashkuan grupimit të ri, të udhëhequr nga ish ministri i energjisë, Panajotis Llafazanis.
Mandatimi i mundshëm edhe i Llafazanit, konsiderohet një sfidë e rëndë për Aleksis Tsipras, i cili tentoi shpalljen e zgjedhjeve pikërisht që të spastronte fraksionin e ekstremit të majtë.
Gjithsesi, gjërat do të kristalizohen pas të hënës së ardhshme, kur mbaron afati zyrtar i mandatarit Meimarakis. Atëherë do të mësohet nëse Greqia do të shkojë në zgjedhje, për të dytën herë brenda nëntë muajve të fundit, apo do të ketë një qeveri tjetër, nga e cila do të mungojë Aleksis Tsipras.
Robert Goro
Ndaje me miqte