0030 210 33 18 483

Vrau bashkëshorten greke burgim i përjetshëm për Klodi Lesin

Tribuna 16 Mars 2017

Një dramë familjare që kishte tronditur Greqinë para një viti, ka marrë fund të enjten. Ndaj shtetasit shqiptar Klodian Lesi, që kishte vrarë me thikë, në fillim të janarit 2016 bashkëshorten e vet greke, është shqiptuar sot dënimi me burgim të përjetshëm. Gjatë të një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se një muaj dhe pati disa ndërprerje, Klodian Lesi ka shprehur pendesën e vet dhe ka kërkuar ndjesë nga familja e viktimës, duke thënë se ai nuk ka qenë i vetëdijshëm në momentin e krimit, që ndodhi në banesën e çiftit, në fshatin Ormilos të Halkidikisë. Ishte 6 janar 2016, dhe në një moment Lesi kishte rrëmbyer një thikë dhe e kishte goditur disa herë bashkëshorten me të cilën ishin në distancë prej disa kohësh. Pastaj kishte marrë me vete djalin më të vogël, të moshës 4 vjeç dhe ishte larguar. Lesi dhe i biri kaluan më shumë se dy javë si endacakë, duke fjetur ku të mundnin dhe gjithmonë larg syve të botës. Përfundimisht, ai u arrestua më 24 janar, shumë afër vendbanimit. Lesi citohet nga mediat greke të ketë thënë gjatë deponimit të vet në gjyq se ai nuk mbante mend asgjë. “Nuk mbaj mend çfarë kam bërë dhe uroj që askujt të mos i ndodhë kjo”, ka thënë Lesi, sipas të cilit fillimisht ka bërë një debat të ashpër me bashkëshorten, me të cilën jetonin në distancë prej disa muajsh. “Ajo nuk pranoi të më jepte fëmijtë dhe më tha që të rregulloj vetë jetën time, siç kishte bërë ajo me jetën e saj”. “M’u errën sytë kur më tha se nuk kam për të parë më fëmijtë. Po të mendoja me kthjelltësi, nuk do të arrija këtu ku arrita. Jam penduar”, ka thënë më tej 36 vjeçari shqiptar. Në vendimin e vet trupi gjykues nuk ka marrë parasysh asnjë rrethanë lehtësuese dhe i ka dhënë Kodian Lesit dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, plus katër vjet për ekspozimin e të miturit në rrezik për jetën si dhe një vit për armëmbajtje pa leje.

Ndaje me miqte