0030 210 33 18 483

Vritet refugjati qeveria greke do të hapë 7 qendra të reja pritjeje

15 Korrik 2016

Qeveria greke ka njoftuar krijimin e shtatë qendrave të reja për akomodimin e refugjatëve, në zonat qendrore të vendit. Vendimi u publikua vetëm pak orë pasi në qendrën e pritjes në ish aeroportin e Athinës ishte shënuar një ngjarje e rëndë. Në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, rreth 50 refugjatë afganë u përleshën në mes tyre. Si rezultat, një refugjat humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Megjithëse viktima ishte qëlluar me thikë, mjekët ligjorë thanë se vdekja e tij ishte shkaktuar nga goditjet me grushte dhe sende të forta që kishte marrë më përpara. Ditët e fundit, zënkat mes refugjatëve në pikat e pritjes apo të izolimit, janë bërë përherë e më të shpeshta në të gjithë vendin. Përpos zhgënjimit të refugjatëve nga zbatimi ineficent të programit të rivendosjes në vendet e tjera të BE, shkaku kryesor i zënkave mbeten kushtet jashtëzakonisht të këqija të jetesës në këto pika, të njohura si hot spote. Qeveria greke disa herë ka tentuar të ndërtojë pika të reja në zona të nhdryshme të vendit, mirëpo reagimet e banorëve kanë krijuar vështirësi të mëdha në realizimin e projekteve. Tashmë qeveria thotë se pikat e reja do të jenë gati brenda dhjetë ditëve. Ministri i emigracionit, Janis Muzalas, e pranoi publikisht se ka patur vonesa për krijimin e qendrave të reja, si dhe në evakuimin e qendrës së pritjes te ish aeroporti i Athinës. “Kampet po përgatiten, jemi të vonuar, do të duhet të nxitojmë më shumë. Garantoj se do të bëhet një përpjekje kolosale për të përshpejtuar ndryshimin e kësaj situate”, deklaroi të premten ministri Muzalas. Ardhja e refugjatëve të rinj në Greqi vazhdon përditë, por me ritme shumë më të ulëta se muaj më parë. Aktualisht, në të gjithë vendin vlerësohet se ndodhen më shumë se 57.000 refugjatë. Më pak se 1/5 e tyre vazhdon të qëndrojë nëpër ishuj, ndërsa gati gjysma janë akomoduar bë Greqinë veriore.

Ndaje me miqte