Vuçiç fiton zgjedhjet presidenciale në Serbi
Tribuna
03 Prill 2017
Pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale serbe projeksionet nxorrën fitues kryeministrin aktual Aleksandar Vuçiç, me mbi 55 për qind të votave.
Agjencia e pavarur IPSOS ka njoftuar se Vuçiq ka një dallim të madh në vota nga kandidati i dytë i radhitur Sasha Jankoviç, ish avokat i popullit, që mori mbi 16 për qind të votave.
Mbi 50 për qind e trupit zgjedhor nga mbi 6.5 milionë votues mori pjesë në votime, thanë organizatat që vëzhguan zgjedhjet. Votuesit serbë votuan për 11 kandidatë, në mesin e të cilëve edhe kryeministri aktual Aleksandar Vuçiq.
Vuçiç, që ka deklaruar fitoren e tij në zgjedhje, tha përpara simpatizantëve të tij se ‘serbët votuan për politkat e tij të bashkimit me BE-në dhe mbajtjes së lidhjeve me Rusinë dhe Kinën', bëri të ditur AP.
Serbët hodhën të dielën votën e tyre për të zgjedhur presidentin e ri, në ato që shiheshin si sprovë për popullaritetin e kryeministrit aktual, Aleksandër Vuçiç.
Anketat e opinionit publik kishin parashikuar që ai të fitojë që në raundin e parë.
Vuçiç, vendosi të heqë dorë nga posti i kryeministrit para se të mbushej një vit nga fillimi i mandatit të dytë, me premtimin për të ruajtur një drejtpeshimin ndërmjet aspiratave për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për të ruajtur lidhjet tradicionale me Rusinë.
"Politika e Serbisë është që të qëndrojë në rrugën evropiane. Ky është qëllimi ynë strategjik. Arsyeja kryesore është që ne duam të jemi dhe të kemi një shoqëri sikurse në shumicën e vendeve të zhvilluara evropiane. Në anën tjetër, unë u them Bashkimit Evropian dhe Washingtonit se Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira më Federatën Ruse, të kemi bashkëpunim të mirë ekonomik dhe ta përmirësojmë atë, sepse kemi pasur rënie të tregut vitin e kaluar", tha ai gjatë fushatës.
Në Serbi, zyra e kryeministrit ka më shumë fuqi sesa ajo e presidentit. Vuçiç nuk ka dhënë shpjegime përse ka zgjedhur të largohet nga një zyrë me fuqi institucionale për të mbajtur një post kryesisht ceremonial. Por, analistët thonë se ai druante që presidenti aktual, Tomislav Nikoliç, mund të humbte zgjedhjet dhe posti t'i mbetej opozitës.
Opozita e rimëkëmbur kishte pak shpresë, meqë udhëheqësit e ndarë të saj nuk u morën vesh për një kandidat të përbashkët dhe Vuçiç u përball 10 syresh.
Kritikët e tij paralajmërojnë se zoti Vuçiç po kërkon të kopjojë llojin e autokracisë së Rusisë nën Vladimir Putinin që i ka dhënë tashmë mbështetje kandidaturës së tij. Rivalët e kanë akuzuar zotin Vuçiç për përbaltje të kandidatëve, për kontroll të medieve dhe për frikësim të votuesve.
Aleksandër Vuçiç, një ish-ministër i informacionit dhe propagandist i vijës së ashpër nën presidentin Sllobodan Millosheviç i kundërshton akuzat. Partia e tij Përparimtare Serbë në pushtet bleu ditën e enjte hapësirat e faqeve të para të pothuajse të gjitha gazetave të përditshme, për të reklamuar logon kuq e blu të kandidatit të saj.
Serbia u bë republikë e pavarur në vitin 2006, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia është vend kandidat për në BE që në vitin 2012 dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në vitin 2014.
(Burimi: www.zeriamerikes.com dhe www.evropaelire.org)
Ndaje me miqte