0030 210 33 18 483

Zbardhen tabulatet e rrjetit të drogës Rigert Dervishi u vra në vend të një tjetri

TRIBUNA 30 Nentor 2016

Shtetasi shqiptar Rigert Dervishi, që ishte ekzekutuar në fillim të nëntorit në Athinë, është vrarë gabimisht, në vend të një personi tjetër që ishte i implikuar në botën e krimit. Dervishi u vra në orët e para të 13 nëntorit në Ketratsini të Athinës, ndërsa ndodhej në makinën e tij. 32 vjeçari ishte qëlluar disa herë dhe në vendngjarje u gjetën 10 gëzhoja. Por sipas portalit Newsit.gr., atentatorët gabuan dhe vranë Rigerd Dervishin, ndërsa vrasja ishte porositur për një person tjetër, gjithashtu shqiptar, që ndodhej në të njëjtën makinë si pasagjer. Rigerd Dervishi nuk kishte asnjë lidhje me trafiqe droge. Kështu rezulton nga hetimet e policisë greke mbi rrjetin e trafikut të drogës që u asgjësua ditët e fundit dhe që kishte xhiruar më shumë se 19 milionë euro. Hetuesit kanë në duar tabultatet e përgjimeve telefonike të personit me pseudonimin “Genti”, i cili sillet të jetë kreu i grupit që u asgjesua dhe që sipas policisë ndodhet në Shqipëri. Pikërisht “Genti” sillet të jetë porositësi i vrasjes që i mori jetën viktimës së pafajshme. Në fakt, porosia ishte për një 36 vjeçar, që sipas policisë kishte shfaqur tendenca mëvetësimi dhe prandaj duhej zhdukur. Newsit publikon transkriptin e përgjimit të një bisede telefonike ndërmjet “Gentit” dhe personit që merr përsipër të kryejë vrasjen. Ky i fundit duket se i kishte para borxh “Gentit”, të cilit i telefonon dhe fillimisht e pyet nëse çdo gjë është mirë. “Genti”: Mirë. Me ty ç’bëhet? Më ke borxh 40.000 euro dhe paratë i dua. Borxhliu: Nuk i kam. Për fjalë të nderit, do të përpiqem t’i mbledh dhe të t’i jap! Po përgatis diçka të mirë dhe do të kem para. “Genti”: Unë i kam me ngut atë para. Por mund të rregullohemi ndryshe. Borxhliu: Domethënë? “Genti”: Do të bësh një punë për mua. Do të heqësh qafe... Dhe u lamë. As të kam, as më ke borxh. Borxhliu: Dakord. Operacioni për asgjesimin e rrjetit të trafikantëve, kishte emrin e koduar “Kimera” (sipas mitologjisë, bisha me trup dhie e fytyrë luani që villte vazhdimisht zjarr nga goja). Siç u bë e ditur, agjentët e antidrogës kanë survejuar dhe filmuar aktivitetin e pjesëtarëve të rrjetit, gjë që bëri të mundur identifikimin e tyre. Në shërbim të vazhdimit të hetimeve, autoritetet kanë kërkuar nga prokuroria lejen që t’i publikojnë videot. Por kjo leje ende nuk është dhënë.

Ndaje me miqte