Zbardhet propozimi i PD për formulën e zgjedhjes së organeve të Vettingut
13 Korrik 2016
Partia Demokratike publikoi të mërkurën propozimin e saj për formulën e zgjedhjes së organeve të Vettingut.
Ky propozim i të djathtëve rrëzon formulën e kompromisit të ofruar të dielën në Tiranë nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, që do të zhbllokonte ngërçin që pengon miratimin e reformës në drejtësi.
Në draftin e saj PD prezanton një variant të ri lidhur me rolin e misionit ndërkombëtar në procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tij, procesi i verifikimit do të kryhet nga një komision parlamentar ad hoc.
“Eshtë ky parlament që po miraton këto ndryshime reformuese që kërkojnë konsensus e mbështetje të gjerë e për rrjedhojë zotëron legjitimitetin e procesit dhe nuk është në konflikt interesi, por vepron në kuadër të kontrollit dhe balancave mes pushteteve”, thuhet në propozimin e opozitës.
Ndërkohë propozimi i jep Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), rol vëzhguesi me akses të plotë në proces dhe dokumentacion, prova apo çdo fakt të shqyrtuar, por pa pushtetet diskrecionale, i cili do ta kthente ONM në një institucion me suprasovranitet brenda kornizës kushtetuese shqiptare dhe pa përgjegjshmëri demokratike.
Formula e ofruar nga opozita parashikon që procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të vettingut duhet të bëhet nga dy komisione parlamentare, me përfaqësim të barabartë. Njëri me 6 anëtarë, tjetri me 12. Ai me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe mund të marrë vendime për përjashtimin e tyre, bazuar vetëm në prova. Në këtë proces, ONM-së i është dhënë akses i papenguar, në çdo veprim që kryen komisioni.
Përpara se kandidatët të shkojnë për votim në komisionin tjetër me 12 anëtarë, ONM prodhon një raport për të gjithë procesin, i cili u shpërndahet deputetëve përpara se të votojnë në bllok me 2/3-ta, listën e kandidatëve të personave që do të bëjnë vettingun.
Në propozimin e SHBA-së ndërkombëtarët kishin fuqi vendimarrëse për procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa ky propozim i sotem i përjashton ata.
Ndaje me miqte