&ldquoZëra të ekstremit të djathtë përcaktojnë identitetin politik të Europës&rdquo
18 Shkurt 2016
“Zëra të ekstremit të djathtë dhe ksenofobë në Europë po shfrytëzojnë faktin se shumë vende ndodhen në një periudhë parazgjedhore dhe prandaj përcaktojnë identitetin politik europian në çështjen e refugjatëve”.
Kështu ka deklaruar ministri alternat grek i çështjeve europiane, Nikos Ksydakis, në intervistë për radion "Praktoreio FM", të enjten.
“Kemi mbërritur në pikën që identitetin politik të Europë e përcakton kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, partia më ekstremiste dhe më ksenofobe nga gjithë partitë në pushtet në Europë në këtë moment”, nënvizoi Ksydakis, që e cilësoi si një “shtrëngatë” në zemër të Europës çështjen e refugjatëve dhe emigrantëve, duke shprehur vlerësimin që po të mos jepen përgjigje politike, është në rrezik kohezioni i Europës.
Ksydakis tha më tej se disa prej vendeve që ndodhen në periudhë zgjedhore, si Austria, i nënshtrohen presionit të një retorike ekstremiste dhe liderët e tyre, për arsye konsumi të brendshëm, ndryshojnë identitetin dhe axhendën europiane.
Ksydakis iu referua presioneve që u bëhen madje edhe liderëve socialdemokratë dhe theksoi nevojën që në samitin e BE-së të dëgjohen zëra të mençur.
“Duhet ta kuptojmë se çështja e refugjatëve dhe emigracioni, siç janë shfaqur pas verës, përbëjnë një krizë ekzistencialiste për Europën dhe nga trajtimi i këtyre çështjeve do të varet vetë ekzistenca e Europës”, theksoi.
Ministri grek i çështjeve europiane e cilësoi si një dobësi të Europës pjesëmarrjen e NATO-s në ruajtjen e kufijve. Ndërsa duke komentuar anullimin e takimit Greqi-Gjermani-Turqi (për shkak të sulmit terrorist në Ankara të mërkurën), tha se prej vetë rrethanave Turqia është shndërruar në lojtar-kyç, për shkak të pozitës së saj gjeografike, por edhe të flukseve të refugjatëve që nisen prej andej.
“Pa Turqinë në tavolinë dhe pa realizuar ato për të cilat ka rënë dakord e ka kërkuar kambiale të mëdha politike -dhe nuk e kam fjalën te pjesa financiare-, vështirë se do të gjendet një zgjidhje në çështjen e refugjatëve”, parashikoi Ksydakis.
Tribuna
Ndaje me miqte