Zgjedhjet e 21 qershorit. Reagime të kundërta për raportin e ODIHRit
10 Shtator 2015
Ashtu sic ka ndodhur rëndom në të kaluarën, secila palë politike në Shqipëri ka një lexim të vetin të raportit të vëzhguesve ndërkombëtar për zgjedhjet. Edhe këtë herë, 24 orë pas publikimit të vlerësimeve përfundimtare të ODIHR-it për votën e 21 Qershorit, opozita e cilësoi atë një “damkë të zezë” për zgjedhjet, ndërsa qeveria nga ana e saj foli për një përparim krahasuar me proceset e mëparshme.
“Në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare” deklaroi zoti Basha duke shtuar se sipas tij, në cdo faqe të raportit ka prova e fakte që dëshmojnë dhunimin e standarteve nga ana e shumicës në pushtet.
Në emër të qeverisë shqiptare komentet mbi raportin i bëri ministri i jashtëm Ditmir Bushati: “Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it evidenton përparimin në krahasim me proceset e mëparshme zgjedhore në vend, si dhe evidenton mangësi që mbeten për t’u adresuar. Shqipëria organizoi një proces zgjedhor të qetë, ku dita e votimit siç përshkruhet në raport, ishte krejt normale dhe vetë fushata elektorale u karakterizua nga një klimë zgjedhore pozitive dhe paqësore. Përtej hapave dukshëm pozitiv bërë nga Shqipëria, evidentimi i mangësive që mbeten për t’u adresuar është për ne një udhërrëfyes për ato hapa që duhet të ndërmerren me synim konsolidimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe praktikat më të mira dhe angazhimet e OSBE/ODIHR-it”.
Duke ju përgjigjur akuzave të drejtuesit të opozitës, zoti Bushati kujtoi konstatimet e raportit për zgjedhjet e vitit 2011, ndërsa shprehu gatishmërinë e qeverisë për të zbatuar të gjitha rekomandimet e raportit
Ndërsa për LSI-në, e cila përmendej në raport për situatën e tensionuar të krijuar në Vorë, vëmendja duhet të përqëndrohet në aspektet që duhen përmirësuar. “Përgjithësisht shumica e vërejtjeve në tërësinë e tyre kanë të bëjnë me përmirësime të karakterit legjislativ, të karakterit të administrimit dhe çështjet të adresuara të karakterit teknik të cilat natyrshëm janë të mirëpritura, kërkojnë një përgjigje të shpejtë dhe përgjigja e menjëhershme dhe me pozitive gjithë politikës në tërësi do të ishte një dhe vetëm një: t’i futemi sa më parë procesit të përmirësimit të vërejtjeve të konstatuara”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Raporti i ODIHR-it nënvizonte se “politizimi i vazhdueshëm i institucioneve shtetërore minoi administrimin efektiv të procesit të zgjedhjeve. Përgjithësisht, dita e zgjedhjeve është vlerësuar pozitivisht, por u vunë re disa raste të votimit në grup dhe parregullsi të rëndësishme proceduriale”, theksonte raporti në të cilin flitej për akuzat e përhapura për trysni ndaj votuesve apo ato për blerje të votës, për disa probleme me listat, ndërsa nuk munguan kritikat dhe për rolin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Armand Mero (VOA)
Ndaje me miqte