Zgjedhjet në Dibër KQZ konfirmon fitoren e kandidatit socialist Muharrem Rama
13 Shtator 2016
Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka njoftuar përmbylljen e procesit të numërimit të fletëve të votimit për zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Dibrës për 118 qendrat e votimit.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha: “rezultatet paraprake për çdo kuti të fletëve të numëruara u raportuan në kohë reale nga KZAZ në Qendrën e të Dhënave të KQZ-së, rezultate të cilat u shfaqen edhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, duke sjellë informim të saktë dhe korrekt të opinionit publik”.
Më tej, ajo dha shifra në lidhje me procesin e votimit në Dibër.
“Mbi bazën e tabelave të rezultateve të cdo QV-je të përcjellë elektronikisht nga KZAZ nr.19 në KQZ, rezulton se kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Muharem Rama, ka marrë 18597 (56.3%) vota dhe kandidati i koalicionit ‘Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, Sherefedin Shehu, ka marrë 14435 (43.7%) vota”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas KQZ, tabela përmbledhëse e rezultateve të zgjedhjeve të ZAZ nr. 19, Dibër për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Dibër, miratohet dhe shpallet me vendim nga KZAZ-ja nr. 19.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin e votimit dhe te numërimit të fletëve të votimit të qetë dhe korrekt, komisionerët treguan përgjegjshmëri në respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Ndaje me miqte