0030 210 33 18 483

A po vjen "Pranvera Ballkanike"??

Tribuna TV 21 Shkurt 2019

Analistët politikë në rajon e cilësojnë si një “pranverë ballkanike”, valën e protestave masive antiqeveritare në Tiranë, Beograd dhe Podgoricë, që po shënohen ditët e fundit, vënë në dukje agjencitë e huaja.

Ky emërtim lindi në rrjetet sociale e sidomos në Twitter, ku përdoruesit theksuan ndër të tjera se pranvera në Ballkan vonoi 20 vjet.

“Njëzet vjet pritjeje për anëtarësim në BE është një kohë shumë e madhe”, shkruajti dikush.

Ndërsa një tjetër: “Kush nuk ka ikur ende nga vendi i tij, konsideron si pengesë udhëheqjet politike lokale”.

Në Shqipëri, mijëra protestues të opozitës u përleshën me forcat policore në manifestimet kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme.

Bashkimi Europian dhe SHBA i bënë thirrje opozitës të shmangë dhunën, ndërsa kërkuan nga deputetët që të mos dorëzojnë mandatet e tyre.

Pak orë më herët, në kryeqytetin e malit të Zi, Podgoricë u tubuan mijëra aktivistë, duke kërkuar edhe ata dorëheqjet e presidentit Milo Xhukanoviç dhe të prokurorit të përgjithshëm për krimin e organizuar.

Në të njëjtën kohë, dhjetra mijëra vet protestuan për të njëmbëdhjetën herë rresht në Beograd, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vucic dhe të qeverisë.

Krahas kësaj, vazhdon kriza në raportet Serbi – Kosovë, ku kryeministri Ramush Haradinaj përjashtoi çdo diskutim për ndryshim të kufijve që do të shpinte në krijimin e shteteve etnike. “Ndarja mbi bazën e kritereve etnike nuk është një skenar realist”, tha Haradinaj, duke komentuar deklaratat e ministrit të jashtëm serb, Ivica Dacic.

Ndaje me miqte