0030 210 33 18 483

AEK-u, kampion edhe zyrtarisht

Tribuna TV 23 Prill 2018

Dy javë para përfundimit të kampionatit, AEK i Athinës ka fituar titullin kampion në Superligën greke për sezonin 2017-2018. Ky është titulli i 12-të në historinë e klubit dhe i pari pas vitit 1994. AEK-u fitoi të dielën në mbrëmje ndaj Levadiakos 2-0 para 60.000 tifozëve që ndodheshin në shkallët e stadiumit Olimpik.

Pavarësisht festës, teorikisht “verdhezinjtë” duhej të prisnin vendimin për apelimin që kishte bërë PAOK-u për derbin e Selanikut që u ndërpre, pas futjes në fushë “me kobure në brez”, të Ivan Savidhisit.

Të hënën në mesditë, vendimi doli. Gjykata sportive rrëzoi apelimin e selanikasve.

Kështu, ndeshjen përfundimisht e fiton në tavolinë AEK-u, 3-0, ndërsa PAOK-ut i hiqen 3 pikë dhe do ta fillojë sezonin 2018-2019 me minus dy pikë.

Pa u ndryshuar mbeten edhe dënimet për bosin e PAOK-ut Ivan Savidhis (3 vjet nuk i lejohet hyrja në ambientet sportive) dhe ndalimi për 90 ditë i drejtorit teknik të bardhezinjve, Liubus Michel.

60 mijë tifozët që festonin të dielën në mbrëmje në OAKA kërkonin që ekipi i tyre t’i dyfishojë titujt për këtë sezon. Bëhet fjalë për finalen e Kupës së Greqisë, që do të luhet më 12 maj, ndërmjet AEK-ut dhe PAOK-ut.

Ndaje me miqte