0030 210 33 18 483

Agjencia Reuters për zgjedhjet në Shqipëri

TV TRIBUNA 25 Prill 2021

Shqipëria voton të dielën në një palë zgjedhje që mund të jenë një garë kokë më kokë ndërmjet socialistëve në pushtet dhe opozitës, teksa korrupsioni rëndon mbi votuesit në një nga vendet më të varfëra të Europës.

Partia socialiste e kryeministrit Edi Rama synon një mandat të tretë, ndërsa partia demokratike e Lulzim Bashës don të rikthehet në pushtet, tetë vjet pas humbjes së zgjedhjeve.

Dëshiroj të shikoj ndryshime në të gjitha fushat. Dua që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Europian”, tha Edmond Katanxhaj, 64 vjeç, që ishte ndër votuesit e parë që votuan në qendrat e votimit në Tiranë.

Shqipërisë iu dha në 2014-n statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, mirëpo ka shënuar pak progres për shkak të lodhjes së procesit të zgjerimit të Unionit dhe mungesës së reformave në Shqipëri.

Me popullsi 2,8 milionë banorë, por 3,6 milionë votues për shkak të diasporës së saj të madhe, Shqipëria ka një historik dhune dhe manipulimesh gjatë zgjedhjeve në tri dekadat pas rrëzimit të komunizmit.

Të mërkurën, një mbështetës i PS humbi jetën dhe katër persona u plagosën gjatë një shkëmbimi zjarri pas një konflikti ndërmjet mbështetësive të PS dhe PD.

Votuesit kërkojnë t’i jepet fund korrupsionit të gjerë. Shqipëria renditet e 104-ta në listën e 180 vendeve të Transparency International për 2020-n dhe akuzohet nga Shtetet e Bashkuara si një burim i rëndësishëm i prodhimit të marihuanës dhe trafikut të drogave të tjera.

Orestia Nano, artiste, thotë se motivimi kryesor i votuesve është dhënia fund korrupsionit.

“Kur hyra në Akademinë e Arteve, kishte njerëz të moshës time që paguan para për të hyrë në edhe ata akademi. Ka njerëz që duhet të paguajnë për të marrë terapitë ,mjekësore në spitalet shtetërore”, tha ajo.

Rama, një piktor dhe ish basketbollist 56 vjeçar, ishte në pushtet për 8 vjet.

Basha, 46 vjeç jurist dhe ish kryetar i bashkisë së Tiranës, ka pasur më herët poste qeveritare dhe ka jetuar në Vendet e Ulëta.

Qeveria e re do të duhet të përballojë pandeminë e Koronavirusit si dhe të rindërtojë shtëpi, pas një tërmeti në 2019 që vrau 51 persona dhe goditi më shumë se 11.400 banesa.

12 parti politike konkurrojnë në zgjedhjet për parlamentin 140 vendësh, me sondazhet të tregojnë se PS dhe PD do të jenë partitë që do të marrin numrin më të madh të votave.

PD udhëheq një koalicion opozitar.

Ndaje me miqte