Aksident tragjik në aksin rrugor Shkup "?? Tetovë. 14 të vdekur
Tribuna TV
14 Shkurt 2019
14 vetë persona kanë humbur jetën në Maqedoninë e Veriut, kur një autobus me pasagjerë që udhëtonte nga Shkupi për në Gostivar, ra në humnerë në fshatin Llaskarcë, në dalje të Shkupit, në drejtim të Tetovës.
Ministri i Shëndetësisë, Veno Filipçe njoftoi për numrin e viktimave nga spitali i qytetin të Shkupit, duke thënë se shtatë vetë kishin vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa gjashtë të tjerë nëpër spitale.
Në spitalin e Shkupit janë dërguar 25 vetë, prej të cilëve tre me lëndime më të lehta dhe do të dërgohen në shtëpi, sipas ministrit.
Në Qendrën klinike janë pranuar pesë persona të tjerë, një nga ta grua shtatëzënë, por me lëndime më të lehta.
Ministri i Rendit, Oliver Spasovski dhe zëvendesi i tij Agim Nuhiu shkuan në vendin e ngjarjes.
Ekipe policore, të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikës ndodhen gjithashtu në vendngjarje. Banorët e fshatit kanë ndihmuar po ashtu me makineritë e tyre për ta ngritur autobusin dhe në shpëtimin e pasagjerëve.
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të autobusit, që i takonte kompanisë Durmo Turs nga Gostivari.
Policia po punon në identifikimin e personave të vdekur dhe të lënduar.
Dy ditë zie kombëtare
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka ftuar në një mbledhje urgjente qeverinë, e cila ka shpallur dy ditë zie kombëtare.
“Natë e rëndë, e mbushur përplot me dhimbje e dëshpërim. Sonte shteti jonë është në pikëllim. Nuk kam fjalë që mund të ngushëllojnë familjet e bashkëqytetarëve tanë, të cilët humbën jetën në këtë tragjedi të rëndë komunikacioni”, ka deklaruar Zaev.
Rama: Jemi pranë familjarëve dhe vendit mik
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përmbysjes së një autobusi në autostradën Tetovë-Shkup. Rama shprehu ngushëllimet dhe keqardhjen për familjet duke shkruar: “Pikëllim për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut, ku numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik”.
Athina ngushëllon
Menjëherë pas publikimit të lajmit për aksidentin, ministri alternat grek i punëve të jashtme, Jorgos Katrougalos, i ka telefonuar homologut të tij nga vendi fqinj, për t’i shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin.
Ndërkohë ka reaguar dhe ministria e jashtme greke, përmes një statusi në Twitter:
“Jemi thellësisht të hidhëruar nga aksidenti tragjik në aksin rrugor Shkup – Tetovë. Mendimet tona janë në familjet e viktimave dhe të afërmit e tyre. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe solidaritetin ndaj popullit dhe qeverisë së Maqedonisë së veriut”, thuhet në statusin e MPJ greke.
Ndaje me miqte