0030 210 33 18 483

Aksidenti i trenit në Pakistan: 22 të vdekur dhe 50 të lënduar pas daljes nga binarët

Tribuna News Network 06 Gusht 2023

Në jug të Pakistanit, të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe mbi 50 të tjerë janë lënduar pas daljes së një treni nga shinat të dielën, sipas zyrtarëve pakistanezë.

 

Younis Chandio, një zyrtar policor i lartë, njoftoi sot mediat vendase se operacionet e shpëtimit janë në kurs për të nxjerrë njerëzit nga vagonët. Ai shtoi se 10 vagonë të trenit doli nga binarët.

 

Ministri i Hekurudhës i Pakistanit, Khawaja Saad Rafique, komentoi për aksidentin duke thënë se "ky është një aksident shumë i madh. Ekipet e shpëtimit kanë arritur në vendngjarje."

 

Treni doli nga binarët afër stacionit hekurudhor Sahara, në qytetin Nawabshah, në jug të provincës Sindh. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra njerëz në vendngjarje, disa prej tyre duke thyer dritaret për të ndihmuar udhëtarët të dalin nga vagonët e rrokullisur.

 

Aksidentet dhe daljet e trenit nga binarët ndodhin shpesh në sistemin e vjetëruar hekurudhor në Pakistan. Në qershor 2021, dy trenat u përplasën pranë Daharkit në Sindh, duke marrë jetën e të paktën 65 njerëzve dhe duke lënduar rreth 150 të tjerë. Në tetor 2019, të paktën 75 udhëtarë humbën jetën në një zjarr që e kishte kapluar trenin Tezgam, ndërsa në një përplasje të dy trenave në Ghotki në vitin 2005, u vranë mbi 100 njerëz.

Ndaje me miqte