0030 210 33 18 483

Aksidenti vdekjeprurës për dy shqiptarët. Ekspertiza: shoferi ishte i dehur

Tribuna TV 09 Maj 2018

Shoferi i maunes që shkaktoi të mërkurën aksidentin vdekjeprurës, ku humbën jetën dy shtetas shqiptarë, është kapur edhe në të kaluarën të drejtonte mjetin në gjendje dehjeje. Kështu kanë thënë për portalin zougla.gr., burime të policisë që po merren me çështjen.

Sipas këtij burimi, 64 vjeçari u vërtetua se në momentin e aksidentit ndodhej nën ndikimin e alkoolit. Por ai ishte ndaluar edhe në muajin shkurt për të njëjtën kundravajtje, me ç’rast ndaj tij ishin marrë masat përkatëse.

Alkotesti që u zhvillua pas aksidentit tregoi se përqindja e alkoolit në gjakun e 64 vjeçarit ishte 0,75%, në kohën që limiti maksimal i lejuar është 0,10%.

Normalisht ai duhet të ndëshkohet me burgim të rëndë, edhe pse kjo nuk ka për t’i kthyer në jetë dy bashkatdhetarët tanë që gjetën një vdekje kaq tragjike dhe kaq të papandehur.

Të afërmit e viktimave nuk mund të mbajnë dhimbjen dhe indinjatën. 

Në spitalin Atikon, bashkëshortja e viktimës Spiro Guri, nga njëra anë qan të shoqin dhe nga ana tjetër pret me ankth lajme për shëndetin e të bijës që u plagos edhe ajo gjatë aksidentit dhe ndodhet në reanimacion. “Vajza ime po lufton me vdekjen, burrin tim e humba”, thotë me dhimbje zonja Guri që ende nuk mund të besoj gjëmën që i erdhi pa u gdhirë mirë dita.

“Po ta gjej përpara do ta vras me duart e mia”, thotë nga ana e vet edhe nipi i viktimës, që bashkë me familjarë të tjerë ka shkuar që në momentin e parë në Atikon, ku ndodhet e plagosura 34 vjeçare.

Ndaje me miqte