0030 210 33 18 483

Akt violent i qeverisë Rama kundër Himarës

Dr. Evriviadhi GORO 11 Prill 2020

Ditën e premte, 3 prill 2020, policia dhe Forca të Antiterrorit, bënë bastisje në disa shtëpi të Himarës, për të kapur ... terroristë Himariotë!!!
Dhe në çfarë çasti? Sa po gdhihej... Vetëm kur zbardhi dita morëm vesh detyrën e këtyre forcave. Kishin shoqëruar në zyrat e policisë lokale, djemët Himariotë, që kishin ngritur një kryq - simbolin e besimtarëve të Krishterë të gjithë botës, ashtu si gjysmëhëna e myslimanëve- por që cmirëzinjët e njohin si “kryq të ... Grekëve!" (kjo është injorancë në katror)- në manastirin e shën Mërisë, në Athal. Kryqi në fjalë, ishte shkulur nga diktatura Komuniste, kur u mbyllën institucionet fetare në Shqipëri.
Policinë e kishin njoftuar se në Himarë, “Kanë ngritur flamurin e Agimit të Artë të Greqisë!”. Një fjalë e urtë kineze, thotë: “Gënje, gënje dhe gënje, se diçka do të ngelet edhe për ty!”. Një provokacion i pështirë, për një popull, që shikon punët e veta dhe që u ofron të gjithëve miqësinë dhe vëllazërinë. Himariotët janë njerëz të kulturuar, nuk mbajnë në brez kobure dhe thika, njerëz që jetojnë me popullësinë myslimane në harmoni dhe vëllazëri, që bëjnë krushqi midis tyre, njerëz që i konsiderojnë të gjitha fetë të barabarta, sepse çdo njeri ka të drejtë të besojë ashtu si do. Të gjitha fetë i falen të njëjtës perëndi. Himara, gjatë 400 vjetëve të pushtimit të egër Otoman, ka qenë autonome në një territor prej 52 fshatrash, të krishterë e myslimanë të bashkuarë. Sa herë që Osmanët e egër, guxonin të shkelnin këtë autonomi, dëboheshin me forcën e armëve të të gjithëve. Dhe për sqarim: atë autonomi ata ia kishin shkëputur Sulejmanit të Madhërishëm, mbasi e thyen, kur guxoi të shkelte trojet e tyre. Sa për njohuri, sulltani në fjalë, pranoi kushtet e Himariotëve, që u shkruan, jo në një copë letre, por në një pllakë prej bakri, që t'u rezistojë shekujve!.. Z. Edi Rama, po të ketë guxim, le t’ i lutet “vëllait”,-si ka thënë vetë,-Erdogan,- t’ ia tregojë e t’ i hedhë një sy. Besoj se e ka mësuar Turqishten, më mirë se shqipen...
Himariotët janë ortodoksë dhe nuk kanë pse të ndryshojnë. Por ortodoksia jonë nuk është përplasur kurrë me fenë myslimane. Përkundrazi. Gjatë gjithë historisë kemi bashkëjetuar jo thjesht si gjitonë të mirë, por si vëllezër të një ideali. Mbaj mend, që në raste festash na vinin dhe u shkonim për të festuar bashkarisht. Babai im, që ishte fotograf, ftohej nëpër dasmat e Kurveleshasve jo vetëm si zanatçi, por si mik. Kur isha mjek në Himarë, një ditë më sollën një ushtar nga Kuçi, me hemorragji nga hunda. Duke i plotësuar kartelën e shtrimit në spita, kur më tha emrin, Syrja Peçi, ndjeva emocion. E vështrova në sy dhe e pyeta: “Teki Peçin, çfarë e ke?”. “Baba!”-më thotë. Brofa më këmbë, e përqafova dhe e putha në faqet. I thashë i mallëngjyer: “T’ i shkruash babait, që ke rënë në dorën e mikut dhe nuk të le të shkosh në Vlorë. Do të të mbaj këtu. Po të kemi nevojë për specialistin, do ta sjellim këtu”. Këta jemi ne, këta janë dhe myslimanët e nderuar, që banojnë prej vitesh, në Himarë, bashkë me ne dhe ne bashkë me ta.
Jemi njerëz që u bindemi ligjeve dhe përmbushim me përpikmëri, detyrimet Kushtetuese. Nuk vjedhim banka dhe bisnese, nuk vrasim njeri tjetrin, nuk mbjellim hashash. Nuk kemi në burg asnjë njeri të ngarkuar me krime. Dyert e shtëpive tona janë të hapura për miqtë tanë të mirë, pa dallim,të krishterë apo myslimanë, të cilët edhe ata kështu i mbajnë dyert për ne. As feja, as origjina jonë, nuk na lejojnë të armiqësohemi me ata, që kemi ndarë, gjithmonë, gëzimet dhe dhimbjet me njeri tjetri. Nuk kemi punë me agime të arta apo të bakërta, që edhe në vendin tonë nuk mungojnë.
Në një intervistë, që i kam dhënë revistës Pelegrini, nëpërmjet shkrimtarit Nase Jani, në Athinë, në vitin 2002, kam thënë: “Luftërat e ardhshme do të jenë fetare. Nëse në Sqipëri do të fillojë përçarja e bashkjetesës fetare, kjo do të jetë vetëvrasje për Shqipërinë”.
Nuk jemi ne fajtorë në se në Shqipëri kultivohet, nga lart, urrejtja për fqinjin e mirë, Greqinë, që i priti emigrantët Shqiptarë krahëhapur, atëherë kur Shqipëria hallakatej e çthurur, e plagosur dhe e plaçkitur dhe, që sot, ata emigrantë, arrijnë numrin, gati një milion...!
Ne e dimë, që qeveria aktuale i ka “shpallur” luftë Himarës dhe nuk do të rreshtë deri sa të arrijë qëllimin e “zhdukjes” totale të saj. Qeveria aktuale grabit dhe dhunon qytetarët e vet!... Dhe ne i përgjigjemi: “Jemi demokratë të bindur. Perandoria më e madhe dhe më vrastare e historisë, nuk na çfarrosi. Ne, këtu do të jemi, në vendin tonë, duke bërë detyrën e qytetarit dhe detyrën për të mbetur të gjallë në shtëpitë tona. Kryeministri ia ka vënë syrin Bregdetit, e në veçanti Himarës, për ta bërë çiflik të tijin dhe të ngrejë kështjellat e veta... mbrojtëse! Por duhet ta ketë të qartë që nuk do ta lëmë të na marrë atë pak pasuri që kemi, që të parët tanë e kanë vënë me gjak. As diktatura komuniste nuk mundi të na mohojë të drejtën e pronësisë, mbas kolektivizimit. Në statutin e Kooperativave Bujqësore, është një nen, që thotë: “Në se prishet kooperativa, toka i kthehet të zotit”. Dokumentat kadastrale nuk i zhduku, po ruheshin në qendrat e çdo Rrethi.


I kam thënë kryeministrit, në vitin 2014, në një darkë “konfidenciale": “Shohim se në shtypin e përditshëm dhe në mjetet e tjera të informimit shkruhet dhe të flitet shumë për Himarën. Kur kjo gjë bëhet e zakonshme, dy konkluzione mund të nxjerrim: e para, ose autorët nuk kanë ide se ku bie Himara, ose, e dyta, e dinë dhe kanë qëllime keqdashëse. Himara është kjo që është, u bindet ligjëve të shtetit dhe i zbaton, me koshiencë, detyrimet Kushtetuese. Lereni të qetë Himarën, të punojë dhe të jetojë, ashtu si di ajo. Faleminderit”. Kryeministri më vështronte në sy - ishim kundruall njeri tjetrit- dhe nuk hapi gojën të më thotë një fjalë.


Edhe një diçka tjetër. Në pranverën e zezë të 1997ës, kur në gjithë Shpipërinë dëgjoje krismat e pushkëve dhe të bombave, Himariotët rrinin në radhë para zyrave për të paguar detyrimet e Dritave, Telekomit dhe të Ujit. Gjë e vogël, hë?!
Jemi qytetarë të barabartë të Shqipërisë dhe askush nuk ka të drejtë të na cënojë. Të drejtat dhe detyrat i kemi të përbashkëta, por, fatkeqësisht, na i cënon nacionalizmi i qelbur dhe padituria e keqdashësve.
Midis Himariotëve nuk ka armiq të Shqipërisë. Armiqët janë në trurin e Don Kishotëve që na qeverisin, në kundërshtim me vullnetin e popullit të thjeshtë.

 

*) Autori është mjek pensionist dhe jeton në Himarë. Në vitin 2015 i është dhënë titulli "Nderi i qarkut Vlorë"

Ndaje me miqte