0030 210 33 18 483

AKU-ja, vështirësi për bizneset e ndershme, lehtësi për mashtrimin e konsumatorëve

TV Tribuna 29 Shtator 2019

Inicialet AKU i përkasin Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, një institucion në varësi të ministrisë së bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Siç na e prezanton vetë, funksioni i AKU-së është “për menaxhimin në nivel kombëtar të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, mbrojtjes së bimëve dhe shëndetit të kafshëve”.

Ndoshta meqë merret edhe me sigurinë e kafshëve, AKU-ja nuk i kushton dhe kaq rëndësi sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Ndryshe, nuk do të lejonte tregtimin e produkteve jashtë standardit dhe më keq akoma, me parametra të falsifikuara.

Kjo rezulton nga denoncimi që ka bërë biznesmeni i njohur Nikollaq Neranxi, me anë të një postimi në Facebook.

Sipas Neranxit, që është importuesi ekskluziv i kripës së Himalajave nga vendet e Bashkimit Europian, AKU-ja ia mban të bllokuar ngarkesën përkatëse në doganë, me pretekstin se duhet kontrolluar. Mirëpo, procedura që zbatohet në gjithë botën dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri, është që për kontroll merren kampione dhe malli zhdoganonet normalisht. Nëse rezulton ndonjë problem, atëherë malli bllokohet. Dhe flasim për procedura që në kohën e sotme kryhen brenda pak orësh.

Më e keqja është që ndërsa mban të bllokuar me pretekste të ndryshme produktin e importuar nga Neranxi, AKU lejon që të shitet si kripë Himalaje një kripë e thjeshtë guri, që përmban 14,8 % jod, nga 50-60% mg që shkruhet në etiketë...

Neranxi thotë se ky qëndrim diskriminues ndaj tij mbahet ngase biznesmeni i njohur në prononcimet e tij publike, është kritik ndaj qeverisë. Nuk mund ta dimë se sa ky diskriminim bëhet me qëllim hakmarrjen. Por fakti është që kompania Neranxi, me një rrjet shërbimesh të shtrirë në gjithë Shqipërinë dhe me degë edhe jashtë vendit, ka të punësuar me dhjetra e dhjetra vetë, që do të thotë se nga biznesi i tij mbahen me dhjetra e dhjetra familje. Dhe një shtet dinjitoz siç vetëreklamohet ky i yni, duhet t’i trajtojë gjithashtu me dinjitet, (por pa favore e lëshime) biznese të tilla që Shqipëria jonë i ka të pakta.

Më poshtë vijon statusi i publikuar nga Nikollaq Neranxi në Facebook.

 

Institucionet shtetërore që i shërbejnë vetëm klientëve të pushtetit dhe sabotojnë punën e kritikëve të tij!

Të dashur miq! Dua të bëj publike një betejë që po bën prej disa muajsh Kompania Neranxi me AKU! Një nga produktet që ne importojmë është kripa e Himalajeve! Besoj nuk ka nevojë të rendis benefitet e këtij produkti të cilin Kompania Neranxi e importon nga vendet e BE, aty ku institucionet e kontrollit bëjnë siç duhet punën e tyre dhe kanë standarde të larta! Pra është produkt i lejuar! Mua nuk më lanë ta tregtoja sepse sipas tyre duhej të kishte jod! Kripa e Himalajeve është kripë guri dhe është një miniere mineralesh të vyera për shëndetin, të cilat nuk i ka kripa e detit! Është një alternative e kripës dhe përdoret për arsye të caktuara! Unë, për të respektuar institucionet shtetërore e pasurova me jod dhe e risolla! Përsëri ma kanë bllokuar në doganë për arsye kontrolli!!!

Sipas rregullit, merren mostrat dhe zhdoganohet ngarkesa! Por jo, ata duan që të më sabotojnë punën! Ndërkohë kam parë në treg çfarë kripe Himalaje tregtohet! Kam bërë edhe analiza të cilat i keni më poshtë në foto! Rezultati? Një kripë e thjeshtë guri shitet si kripë Himalaje, në etiketë shënohet 50-60 mg/kg por në analize del 14,8.

Pra qëllimi është i qartë, bllokohet Neranxi që të shesë dikush tjetër; mbi të gjitha për të shitur një mall jashtë parametrave! Këtë bëjnë AKU & Co! Janë selektivë, sabotues, gjobëvënës, inkompetentë dhe asgjë më shumë! Të kujdesen për shëndetin e konsumatoreve? As mos t’ju shkojë nëpër mend! Kanë punë më të rëndësishme për të bërë!

Bled Çuçi, po më lexon?

PS. Fotot më poshtë i përkasin një kripe që nuk është e Neranxit, që shitet në treg, të cilës unë i bëra analizën, keni fletën e analizës të kësaj kripe dhe nenin e legjislacionit për sasinë e jodit në kripë!

Ndaje me miqte