0030 210 33 18 483

Aleks Avdiaj: Kampioni 9-vjeçar i shahut që bën histori në botën e sportit

JULI NDRIKO

27 Prill 2023

Aleks Avdiaj është një talent i vërtetë i botës së shahut. Edhe pse është vetëm 9 vjeç, ai ka arritur të jetë nga figurat dhe lojtarët më të mirë, në një nga lojërat më të vjetra dhe më të komplikuara të historisë së njerëzimit, shahut. Loja e shahut, me rrënjët e saj në Indi rreth shekullit të 6-të, u përhap në mbarë botën dhe ka arritur të ketë një impakt të thellë në kulturat e ndryshme. Loja e shahut ka arritur të bëjë histori në të gjithë botën duke u ngjitur në kulme të larta të popularitetit.

Talenti dhe praktika ecin së bashku kur bie fjala për shahun.  Si shumë herë në histori, një talent i veçantë dhe i jashtëzakonshëm si Aleksi, arrin të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të bëhet një emër i njohur në sportin e tij. 

Aleks Avdiaj, kampioni i shahut, jo vetëm në Shqipëri, Greqi, por edhe në nivel ndërkombëtar. Ai ka fituar shumë turne dhe njihet si një personalitet i rëndësishëm në botën e shahut. Në turneun e fundit, i organizuar nga Akademia e Shahut Chania-SAMARIA,  ku morën pjesë lojtarë nga 23 shtete të ndryshme , Aleksi 9 vjeçar, i federuar në Shqipëri me ekipin e Bylis, fitoi titullin kampion për moshat deri 12 vjeç.

Me mjeshtëri dhe aftësitë e tij mundi kundërshtarët në një mënyrë të qëndrueshme, duke fituar kampionatin e ri. Gjeniu shqiptar me një mendje të fuqishme  analitike dhe nivel të lartë inteligjence është kampion i shahut në një kategori moshësh të vështirë, ai ka treguar aftësi të jashtëzakonshme ,duke fituar 8 nga 9 ndeshjet e tij në kampionatin ndërkombëtar.

Suksesi i Aleksit është i pashembullt, si rezultat i talentit natyror dhe punës së palodhshme që i ka kushtuar shahut . 

Ai nuk ka hezituar të bëjë sakrifica në nivel personal dhe profesional për të arritur arritjet e tij. Loja e shahut është konsideruar  sporti i mendjes për arsye se përqendrimi dhe qetësia duhet të jenë maksimale. Ky sport ka një ndikim pozitiv tek fëmijët. Lojërat  strategjike ndihmojnë dhe zhvillojnë  aftësitë komunikuese dhe ndërpersonale. 

Sporti i shahut ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi kognitive dhe mësimet e fituara të kësaj loje mund të përdoren për të ndërtuar strategji jete. Pasi është e vërtetuar, se dikush që merret me shah është më produktiv dhe më rezultativ. 

Shahu, përveç anës agonistike dhe elementëve të tjerë sportivë, në vetvete mbart shumë vlera të tjera pozitive në formimin e fëmijëve që në moshë të re. Sporti i shahut promovon të menduarit logjik, rrit ndjeshëm shkallën e kreativitetit, dhe ndikon drejtpërdretë në të sjellurit në mënyrë edukative. Ajo ç'ka  e bën të veçantë shahun janë vlerat shoqërore  të brezave të rinj, që mbart me vete ky sport. Tashmë është e provuar se zhvillimi i shahut në shtete të ndryshme dhe afrimi i brezave të rinj pranë këtij sporti, redukton ndjeshëm veset e shoqërisë sidomos gjatë periudhës adoloshenciale.

Si arti i shprehjes së bukurisë së logjikës njerëzore, ky sport kërkon një pjekuri të caktuar, e cila dihet që me kalimin e viteve forcon gjykimin dhe arsyetimin.

 Aleksi është një personalitet i rëndësishëm në sportin e shahut dhe shembull frymëzimi dhe motivimi për të gjithë ata që ndjekin pasionin e tyre.

Rezultatet e Aleksit shërbejnë si shembull i fuqishëm dhe një model suksesi që duhet ndjekur nga shumë të rinj të tjerë.

Ne urojmë që kjo fitore e tij të jetë vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në sportin e shahut dhe në jetë . 

Ndaje me miqte