0030 210 33 18 483

Arqipeshkvia Metropolitane: Për çlirimin nga koronavirusi dhe çdo e keqe e kohës sonë

22 Mars 2020

Afër teje, o Nëna e Krishtit, pranë Zemrës Sate të Papërlyer, dëshirojmë së bashku me të gjithë Kishën të bashkohemi në kushtimin që, për dashurinë ndaj nesh, Biri Yt ka bërë me Veten e Tij ndaj Atit; kur thotë: “Për ata Unë e kushtoj vetveten, që edhe ata të jenë të kushtuar në të vërtetën” (Gjn 17:19). Në këtë kushtim për njerëzit dhe për vendin tonë duam të bashkohemi me Shëlbuesin tonë, në Zemrën e Tij Hyjnore, që ka pushtetin për të fituar faljen e për t’u pajtuar, e veçanërisht në këtë kohë sprove për t’u çliruar nga Koronavirusi. Fuqia e këtij kushtimi zgjat për të gjitha kohërat e përfshin të gjithë njerëzit e vendit tonë. Ajo kapërcen çdo të keqe që shpirti i errësirës vendos në zemrën e njeriut dhe në historinë e tij e që, faktikisht, ka vendosur në kohët tona.
O Zoja e Bekuar, sa thellësisht e ndiejmë nevojën e kushtimit ndaj Zemrës Sate të Papërlyer për popullin tonë, për botën tonë bashkëkohore, në bashkim me vetë Krishtin, duke qenë se vetë bota merr pjesë në veprën shëlbuese të Krishtit, nëpërmjet Kishës.
Qofsh bekuar mbi çdo krijesë Ti, Shërbëtorja e Zotit, që në mënyrën më të plotë iu binde thirrjes Hyjnore!
Të falemi Ty, që je tërësisht e bashkuar në kushtimin shëlbues ndaj Birit Tënd!
Nëna e Kishës, ndriçoje popullin e Hyjit në rrugën e fesë, të shpresës e të dashurisë! Ndriçoji veçanërisht njerëzit ndaj të cilëve Ti pret përkushtimin e besimin tonë. Na ndihmo të jetojmë në të vërtetën e kushtimit të Krishtit për të gjithë ne!
Duke të të besuar, o Nënë e Këshillit të Mirë, të gjithë njerëzit që janë nën kthetrat e kësaj plage aq të përhapur e në të njëjtën kohë të padukshme, të besojmë dhe vetë kushtimin e vendit tonë, duke e vënë në Zemrën Tënde prej Nëne.
O Zemër e Papërlyer!
Na ndihmo të fitojmë ndaj kanosjes së të keqes, që aq lehtë rrënjoset në zemrat e njerëzve sot e që me efekte të pamatshme peshon në jetën aktuale e duket sikur po mbyll rrugët drejt së ardhmes, duke ngulitur në mendje dhe në zemër frikën dhe shkurajimin!
O Zemër e Papërlyer!
Nga ky virus i pafrenueshëm, lirona ne!
Nga tërmeti dhe çdo fatkeqësi natyrore, lirona ne!
Nga uria e nga lufta, lirona ne!
Nga lufta bërthamore, nga një vetë shkatërrim i pallogaritshëm, nga çdo lloj lufte, lirona ne!
Nga mëkatet kundër jetës së njeriut që nga fillimet e saj, lirona ne!
Nga çdo lloj padrejtësie në jetën sociale, kombëtare e ndërkombëtare, lirona ne!
Nga korrupsioni dhe pabarazia midis të pasurve dhe të varfërve, lirona ne!
Nga zbrazja e vendit tonë dhe largimi i brezit të ri, lirona ne!
Nga shkelja e urdhërimeve të Hyjit, lirona ne!
Nga humbja e vetëdijes për të mirën e të keqen, lirona ne!
Nga mëkatet kundër Shpirtit të Shenjtë, lirona ne!
Pranoje, o Nënë e Krishtit, këtë klithmë plot vuajtje të të gjithë njerëzve; plot vuajtje të mbarë shoqërisë!
Na ndihmo me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë që të mundim çdo mëkat: mëkatin e njeriut e “mëkatin e botës”, mëkatin në çdo manifestim të tij.
Bëj që të bashkohen në këtë sprovë njerëzit vullnetmirë, për ta shndërruar këtë situatë në një rast të volitshëm ku del në pah e mira që ndër shekujt e ka mundur të keqen!
Jepu forcë e kurajë mjekëve dhe infermierëve; jepu dritë dhe urtësi qeveritarëve; jepu shpirtin e shërbimit me autenticitet gazetarëve; jepu transparencën e përcjelljes së pranisë së Hyjit atyre që të kanë kushtuar jetën me thirrje; e neve të gjithëve na jep aftësinë të përjetojmë me fe të gjallë këtë sfidë, duke ditur të fiksojmë vështrimin tonë në atë të Mirë që nuk kalon kurrë, Krishtin, Zotin tonë!
Bëj të dëftohet edhe njëherë në historinë tonë pushteti i pafund shpëtimtar i Shëlbimit: pushteti i Dashurisë së Mëshirshme, që të ndalë të Keqin; të shndërrojë ndërgjegjet! Në Zemrën Tënde të Papërlyer të shfaqet për të gjithë drita e Shpresës!
Amen!
 

Ndaje me miqte