0030 210 33 18 483

Arrestimi i Belerit, reagon Mitsotakis

TV Tribuna 12 Maj 2023

Marrëdhëniet deri më tani të shkëlqyera midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë, Rama e Mitsotakis, janë tensionuar të premten, pas lajmit për arrestimin e kandidatit për kryetar bashkie të Himarës, Dionisios Alfred Beleri.

Reagimi i parë i Athinës ishte një notë proteste nga ana e ambasadores së Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Më pas u bë e ditur se ministri i jashtëm, Nikos Dendias, kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Rama, për këtë çështje.

I ndodhur në Bruksel, për takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, Dendias tha se kishte vënë në dijeni shefin e çështjeve të jashtme, Joseph Borell dhe ministrin e jashtëm të Suedisë, që ka presidencën e radhës të BE-së.

Ndërsa kryeministri Mitsotakis deklaroi se ka vënë në dijeni presidenten e Komisionit Europian.

“Informova presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen për arrestimin, me akuza të pabaza, kandidatin për kryebashkiak të Himarës dhe pjesëtar i minoritetit etnik grek, Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë që Greqia dhe Be nuk kanë për të pranuar cenimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek”, shkruajti Mitsotakis në rrjetet sociale.

Kyriakos Mitsotakis iu referua ngjarjes edhe gjatë takimit elektoral në ishullin Lesbos.

“Më lejoni këtu të hap një parantezë dhe të them diçka për një ngjarje krejt të padëshirueshme që ndodhi në Shqipërinë fqinje, sot në mëngjes, ku për fat të keq u arrestua kandidati për bashkinë e Himarës dhe pjesëtar i minoritetit etnik grek, Fredi Beleri”.

“Dua, këtej nga Lesbos, t’i dërgoj një mesazh Shqipërisë mike. Cenim të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të minoritetit etnik grek, Greqia nuk ka për të pranuar. Nëse Shqipëria do t’i afrohet Bashkimit Europian, ka detyrimin të garantojë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe të lirojë menjëherë ata të cilët arrestoi, q[ë të mundin të marrin pjesë në procesin zgjedhor”.

Prokuroria firmos urdhër-arrestin

Në mesditë, agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), njoftoi se prokuroria e Vlorës ka firmosur urdhër-arrestin pas ndalimit nga Policia, për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

ATSH citon se, sipas dokumentit zyrtar që mban firmën e oficerit të Policisë gjyqësore, Ogert Thoma, Beleri u arrestua në flagrancë nën akuzën për “Korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”.

Më herët, kryeministri Edi Rama, me një status në rrjetet sociale, kishte theksuar që shkelja e ligjit nga ana e Belerit duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar! Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat e drejtësisë”, shkroi Rama në Twitter.

Ndaje me miqte