0030 210 33 18 483

Athinë, anarkistët përleshen me policinë, pranga shqiptarit

TV TRIBUNA 01 Gusht 2019

Një i ri shqiptar dhe një shtetas grek janë arrestuar pas përleshjeve midis anarkistëve dhe forcave të policisë në Athinë, duke u gdhirë e enjte.

Rreth 30 persona me fytyra të maskuara hodhën bomba molotov dhe gurë kundër forcave të policisë që operojnë në zonën Eksarkia.

17 vjeçari shqiptar dhe 40 vjeçari grek po mbahen në paraburgim dhe pritet të dërgohen në prokurori për t’iu komunikuar akuzat.

Përleshjet filluan pas një tubimi të anarkistëve, për të protestuar ndaj lirimit para kohe nga burgu të një ish polici, i akuzuar për vrasjen e adoleshentit Aleksandros Grigoropoulos, në dhjetor 2008.

Ishte vrasja që shkaktoi trazirat më të dhunshme në Athinë dhe ku për tri ditë e net u kryen vandalizima dhe plaçkitje në dhjetra objekte në qendër të kryeqytetit.

Si autor i vrasjes u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm Epaminondas Korkoneas.

Por në proceset e vazhdueshme gjyqësore, dënimi u reduktua në 13 vjet dhe Korkoneas doli nga burgu, duke përfituar edhe nga klauzolat favorizuese të kodit të ri penal.

Nxjerrja nga burgu e ish policit e ka ndarë më dysh opinionin. Nga njëra anë qytetarët, habiten se si dikush që vrau pa shkak një adoleshent, gati fëmijë, lihet i lirë pas 11 vjetësh. dhe nga ana tjetër, qarqet juridike që pretendojnë se vendimi bazohet në kodin penal dhe rrjedhimisht ka legjitimitet.

Ndaje me miqte