0030 210 33 18 483

Athinë, shtrëngata shiu të shtunën e të dielën, cilat zona rrezikojnë të përmbyten

Tribuna TV 29 Shtator 2018

Në Athinë po vazhdojnë që prej orëve të para të së shtunës reshjet e shiut. Ndërkaq, fenomenet do të intensifikohen pas mesditës, ndërsa në intervalin nga ora 18,00 deri në mesnatë, pritet kulimi i motit të keq, me shtrëngata shiu që parashikohen si tepër të rrezikshme.

Këto shtrëngata pritet të godasin pjesën perëndimore dhe jugore të Atikës dhe pastaj pjesët e tjera të kryeqytetit.

Në të njëjtën kohë, cikloni “Zorbas” pritet të kalojë fare pranë zonës jugore të Atikës, duke shkaktuar një intensifikim të mëtejshëm të erërave që sipas meteorologëve do të arrijnë në 7-8 e madje dhe 9 ballë.

Moti i keq në Atikë do të vazhdojë edhe gjatë të dielës, ku do të ketë intervale shirash të furishëm, posaçërisht në gjysmën e parë të ditës, sidomos në veri dhe në lindje. Reshje të fuqishme do të kemi në të njëjtën kohë, edhe në Evia, Sporade, në gjithë pjesën lindore të Greqisë kontinentale (Sterea Elada), Cikladet e veriut dhe zonat juglindore të Thesalisë.

KUJDES: Është mjaft e madhe mundësia e përmbytjeve, posaçërisht në zonat e prekura nga zjarri (Mandra, Kineta, Mati, Rafina si dhe rajoni perëndimor dhe veriperëndimor i Atikës).

Shërbimi i emergjencave civile tërheq vëmendjen që qytetarët të tregojnë kujdes të madh në lëvizjet e tyre dhe t’i kufizojnë sa të munden ato.

Gjithashtu qytetarët këshillohen që t’u qëndrojnë larg ambienteve të nëndheshme.

Ndaje me miqte