Athina: Greqia mbetet e angazhuar për marrëveshjen e Prespës
Tribuna TV
01 Tetor 2018
“Greqia po ndjek me shumë vëmendje dhe me distancën e nevojshme zhvillimet në vendin fqinj të ish republikës Jugosllave të Maqedonisë”, theksohet në një deklaratë për shtyp të ministrisë së jashtme greke, pas përfundimit të referendumit që u zhvillua të dielën.
MPJ greke thekson gjithashtu se Greqia “mbetet e angazhuar për marrëveshjen e Prespës” dhe paralelisht nënvizon se “hapat e mëtejshëm kërkojnë kthjelltësi nga të gjitha palët, me qëllim që dinamika pozitive e marrëveshjes të ruhet”.
“Një pjesë e madhe e shoqërisë së vendit fqinj e mbështeti marrëveshjen. Por një pjesë tjetër e konsiderueshme e trajtoi me skepticizëm. Greqia respekton përzgjedhjet e qytetarëve të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë”.
Siç thuhet në deklaratë, ministria e jashtme e Greqisë “konsideron se në përgjithësi klima e nacionalizmit dhe e mosbesimit, lajmet e rreme të përditshme dhe fanatizmi i papërmbajtur nuk lejojnë për fat të keq, të bëhet një bilanc i kthjellët për dobinë e madhe të marrëveshjes dhe pengojnë mirëkuptimin reciprok të popujve dhe zhvillimin e bashkëpunimit tonë”.
“Nacionalizmat ekstremë dhe agresivë në rajonin tonë, papërgjegjshmëria ndaj të ardhmes së rajonit, kapja pas stereotipave të irredentizmit në kohën që historia duhet të jetë shkollë dhe jo burg, nuk i japin perspektivë rajonit në përgjithësi”, thuhet në deklaratën për shtyp të MPJ greke.
Ndaje me miqte