Athina: "Historik"? vendimi që lidh hapjen e negociatave me minoritetin
TV TRIBUNA
19 Qershor 2019
Ministri i jashtëm grek, Jorgos Katrougalos, ka thënë se Bashkimi Europian ka përfshirë në kushtet për Shqipërinë edhe respektimin e të drejtave të minoritetit grek.
Katrougalos e ka cilësuar vendimin si historik dhe si një sukses të diplomacisë greke.
Ministri i jashtëm grek i ka bërë këto deklarata gjatë një emisioni televiziv në valët e transmetuesit publik ERT.
Duke iu referuar takimit të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së, Katrougalos tha se për herë të parë ndërlidhet procesi i integrimit të Shqipërisë me respektimin e të drejtës së pronës të minoritetit, por edhe të së drejtës së vetëidentifikimit.
"Së pari, për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit tonë në Shqipëri: Për herë të parë ndërlidhet në një mënyrë kaq të qartë, perspektiva europiane e Shqipërisë me respektimin e të drejtës së pronës. E dimë, kjo është provuar në zonën e Himarës dhe jo vetëm.
Dhe akoma më e rëndësishme është e drejta e vetëidentifikimit. Sepse në këtë moment presim ende aktet ekzekutive nga Shqipëria për të parë se sa respektohet e drejta e një greku atje, që don të deklarohet se i përket minoritetit tonë”.
Në fakt, në pikën e pestë të konkluzioneve nga takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ka një fjali ku thuhet shprehimisht se duhen “forcuar përpjekjet lidhur me mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve, zbatimin e angazhimeve që janë marrë sa i përket vetëidentifikimit të lirë dhe objektiv, trajtimin jodiskriminues të minoriteteve etnike... Duhet gjithashtu të garantohet e drejta e pronës”.
Edhe pse konkluzionet nuk i adresohen posaçërisht Shqipërisë, por gjithë vendeve aspirante dhe kandidate për anëtarësim, Katrougalos e cilësoi si me “rëndësi historike” vendimin e ministrave të jashtëm, dhe gjithashtu si një sukses të rëndësishëm të diplomacisë greke.