Athina i druhet një dymujori "të nxehtë"? në raportet me Turqinë
Tribuna TV
20 Prill 2018
Me vështrimin të drejtuar në Ankara dhe zgjedhjet e parakohshme të 24 qershorit, ndodhet Athina dhe Brukseli, që po ndjekin me vëmendje zhvillimet në Turqi dhe po përpiqen të analizojnë “ditën e nesërme”, nënvizon portali grek cnn.gr.
Për javët e ardhshme “Megaro Maksimu” (selia e kryeministrisë greke) do të gjendet në gatishmëri. Nuk përjashtohet që sjellja provokative turke të ashpërsohet brenda 65 ditëve të ardhshme, nisur nga fakti që kjo taktikë ndiqet sistematikisht nga AKP dhe presidenti Erdogan, por edhe nga ekstremistët e djathtë të Devlet Bahceliut, vazhdon cnn.gr.
Pala greke ka konstatuar se po evidentohet një ndryshim cilësor në politikën e jashtme të Turqisë, mbi bazën e të cilës vendi fqinj ka ndërmarrë edhe një hap tjetër në “operacionin e revanshizmit”, duke shpallur se Imia është territor turk, përtej taktikës konstante të tentativave për krijimin e “zonave gri”.
Në vlerësimet e saj të para, qeveria greke po shqyrton dy skenarë. Skenari pozitiv thotë se kriza në marrëdhëniet greko-turke do të çtensionohet nëse sondazhet në vendin fqinj tregojnë fitore të pastër të Erdoganit.
Mirëpo, në kohën që sondazhet evidentojnë një peizazh politik tepër fluid, me shumë parametra, pala greke nuk e përjashton mundësinë që Greqia të jetë preh i provokimeve më të shpeshta në detin Egje, të cilat provokime, në vazhdim, përmes komunikimit dypalësh, do të shkojnë në një shtensionim të përkohshëm, siç kishte ndodhur me rrëzimin e avionit Miuage javën e kaluar dhe bisedën telefonike të dy kryeministrave, Tsipras e Jildirim.
Fushata elektorale pritet të përmbajë mjaft trumpeta nacionaliste, retorikë provokative ndaj Greqisë, që do të shënjestrojë Greqinë si “armike të Turqisë”.
Kjo çështje pritet të shqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të qeverisë.
Retorikë zjarrvënëse dhe provokacione
Siç i tha CNN Greece Spyridon Litas, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Maqedonisë, politikanët turq ka gjasë që të avancojnë në provokacione ndaj Greqisë, në një përpjekje që të krijojnë tensione në detin Egje dhe në Mesdheun Lindor.
Ky përshkallëzim i tensionit mund të manifestohet qoftë përmes kërcënimit të përdorimit të dhunës, qoftë përmes provokacioneve verbale apo stërvitjeve ushtarake, apo madje edhe lëvizjeve që do të mëtojnë të provokojnë zemërimin e grekëve. “Bie fjala, lëvizje provokative brenda në kishën Agia Sofia apo në monumente të tjera bizantine dhe kristiane”, tha profesori Litas.
Në të njëjtën kohë, ekzistent është dhe shqetësimi se sjellja provokative e Turqisë mund të influencojë sezonin turistik dhe të shkaktojë dëme ekonomike në hotelet e ishujve, përfundon cnn.gr.
Ndaje me miqte