Një ditë pas rekomandimit nga Komisioni Europian, Athina zyrtare paralajmëron se mund të mos japë konsensusin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Athina thotë se perspektiva europiane e Shqipërisë lidhet drejtëpërdrejtë me respektimin e të drejtave të minoritetit dhe se kjo bëhet e qartë edhe në progres raportin e fundit.
Kjo “përbën pjesë të patjetërsueshme të pesë kritereve kryesore përmbushja e të cilave do të shqyrtohet ekskluzivisht nga Këshilli Europian”, nënvizohet në një deklaratë për shtyp të ministrisë së jashtme greke.
“Në këtë kuadër , presim garantimin absolut të së drejtës së vetëpërcaktimit të minoritetit në gjithë territorin shqiptar, çka Shqipëria ishte angazhuar ta realizojë deri në maj 2018, si dhe zbatimin e ligjit për pronat, me qëllim që pjesëtarët e minoritetit të marrin titujt e pronësisë që u takojnë”, shtohet në deklaratën për shtyp.
Ministria e jashtme greke i referohet edhe bllokimit të kandidaturës së Fredi Belerit, duke theksuar se ky akt, “shkel të drejtën e pacenueshme të përfaqësimit politik të minoritetit në zgjedhjet lokale në Himarë”.
Greqia punon për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe mbështet në mënyrë konstante procesin e anëtarësimit të saj në BE, por me kushtin e njëmendtë që vlen për gjithë vendet kandidate, se do të përmbushë tërësinë e kërkesave përkatëse, nënvizon ministria e jashtme greke, në deklaratën që u publikua në orët e vona të pasdites së të enjtes.