Athina: Sanksione ndaj Turqisë nëse kryen shpime në ZEE të Qipros
TV Tribuna
16 Qershor 2019
Athina do të kërkojë sanksione ndaj Turqisë nëse vërtetohet që turqit po kryejnë shpime për naftë dhe gaz në zonën ekskluzive ekonomike të (ZEE) të Qipros, deklaroi kryeministri Aleksis Tsipras në përfundim të një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Politikës së jashtme dhe Mbrojtjes që u mbajt të dielën në mbrëmje.
Duke iu referua komunikimit që pati gjatë mbledhjes me presidentin e Qipros Nikos Anastasiadhis, Tsipras tha se diskutuan hapat e përbashkët që do të ndjekin në kuadër të Bashkimit Europian ku janë anëtarë të dy vendet.
Ramë dakord që të përgatisim terrenin me qëllim që samiti i BE-së të marrë vendimet e përshtatshme, madje edhe ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Turqisë, po të vërtetohet që po kryen shpime në brendësi të ZEE të Qipros.
Tsipras tha se grekët duhet të ndihen krejtësisht të sigurt, ndërsa shtoi – në një mesazh që i drejtohej Ankarasë- se “kush cënon interesat sovrane të Greqisë dhe të Qipros, por edhe të drejtën ndërkombëtare, do të ketë konsenkuenca”.
Ndaje me miqte