Austria akuzon një shtetas grek për spiunazh në favor të Rusisë
ATSH
19 Dhjetor 2022
VJENË, 19 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një shtetas grek 39-vjeçar është akuzuar nga hetuesit austriakë se ka spiunuar për agjencinë ruse të shërbimeve sekrete ushtarake, GRU.
“Personi, i cili dyshohet se ka marrë trajnim special ushtarak në Rusi, u ka dërguar informacionin e mbledhur në Austri për luftën në Ukrainë, diplomatëve dhe shërbimeve të ndryshme të sekrete”, njoftoi sot Ministria e Brendshme në Vjenë.
Ai ka qenë në Moskë para dhe gjatë fillimit të pushtimit të Ukrainës nga forcat ruse, në fund të shkurtit.
I akuzuari ishte ende i lirë.
Hetuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Publike të Austrisë gjetën pajisje dëgjimi, kamera të fshehta, telefona celularë, kompjuterë.
“Dyshimet ndaj tij u ngritën për shkak të udhëtimeve të tij të shpeshta. Nga viti 2018 deri në fillim të vitit 2022, ai kishte bërë gjithsej 65 udhëtime në vende të Evropës, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Turqinë dhe Gjeorgjinë. Ai kishte fituar disa prona në Vjenë, në Rusi dhe në Greqi, megjithëse zyrtarisht kishte vetëm të ardhura të pakta”, tha ministria.
Ndaje me miqte