Helikopteri që po çonte në ishullin Agathonisis kryeministrin grek Alkeksis Tsipras, është detyruar të bëjë manovra të rrezikshme që t’i shmanget ndjekjes nga avionë luftarakë turq, që kishin shkelur hapësirën ajrore të Greqisë.
Këtë e ka konfirmuar vetë kryeministri Tsipras, duke folur para banorëve të ishullit, më 25 mars, ditën e festës kombëtare të Greqisë.
Kisha nderin që gjatë mbërritjes time këtu në Agathonisi, të më prisnin disa avionë luftarakë të aviacionit turk. Duket, për shkak të ditës. Donin të merrnin pjesë edhe ata në festën tonë kombëtare.
E detyruan helikopterin në bordin e të cilit ndodhesha të bënte disa manovra të ulëta, derisa avionët luftarakë grekë – ashtu siç ndodh gjithmonë – t’i zbrapsnin forcat që shkelën hapësirën ajrore kombëtare të Greqisë.
Cili ishte qëllimi i tyre? Të pengojnë helikopterin e kryeministrit grek?
Duhet ta dinë që këto veprime idiote nuk kanë asnjë kuptim, prishin kot kirozinë dhe benzinë. Ky është mesazhi që dua t’u dërgoj.
E para, sepse ne do të jemi gjithmonë aty që të mbrojmë sovranitetin kombëtar, e dyta, sepse kryeministri grek do të gjendet dhe në ishullin më të largët të vendit, edhe sikur të duhet që atje të shkojë duke notuar.
Mesazhi që dua të dërgoj te gjithë ata që na ndjekin, është se ne e kemi dorën të shtrirë për dialog dhe mirëkuptim. Mirëpo, po qe nevoja do të bëjmë atë që dimë prej vitesh që na e mësuan të parët tanë, për të mbrojtur të drejtën dhe sovranitetin tonë”, ka theksuar kryeministri grek.