Avioni luftarak rus përplaset me dronin amerikan mbi ujërat ndërkombëtare
Zëri i Amerikës
15 Mars 2023
PENTAGON - Ushtria amerikane thotë se një avion luftarak rus u përplas të martën me një dron të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit amerikan që vepron në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi, duke shkaktuar rrëzimin e dronit.
Një zyrtar ushtarak amerikan i tha Zërit të Amerikës se droni MQ-9 pa pilot nuk është gjetur ende. Ministria ruse e mbrojtjes fajësoi dronin për rrëzimin dhe tha se avionët e saj Su-27 nuk ranë në kontakt me avionin amerikan.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara po thërrasin ambasadorin rus për incidentin.
"Ne po angazhohemi drejtpërdrejt me rusët, përsëri në nivele të larta, për të përcjellë kundërshtimet tona të forta ndaj këtij interceptimi të pasigurt, joprofesionist, i cili shkaktoi rrëzimin e avionit pa pilot amerikan".
Ai shtoi se ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy, "ka përcjellë një mesazh të fortë në Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse".
Presidenti amerikan Joe Biden u informua për incidentin, sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
"Nëse mesazhi nga Rusia është se ata duan të na pengojnë ose të na dekurajojnë nga fluturimi dhe operimi në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi, atëherë ai mesazh do të dështojë sepse kjo nuk do të ndodhë," tha zoti Kirby në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
“Ne do të vazhdojmë të fluturojmë dhe operojmë në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ujërat ndërkombëtare. Deti i Zi nuk i përket asnjë kombi dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet të bëjmë për interesat tona të sigurisë kombëtare në atë pjesë të botës”.
Sipas Komandës Evropiane të SHBA-së(EUCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake të SHBA-së në Evropë, dy avionë rusë Su-27 "hodhën karburant dhe fluturuan përpara dronit MQ-9 në një mënyrë të pasigurt për mjedisin dhe joprofesionale".
"Një nga avionët rus Su-27 goditi helikën e dronit MQ-9, duke bërë që forcat amerikane ta rrëzonin MQ-9 në ujërat ndërkombëtare. … Ky incident tregon mungesë kompetence, përveçse është i pasigurt dhe joprofesional“, shtoi EUCOM.
Gjenerali i Forcave Ajrore amerikane James B. Hecker, komandanti i Forcave Ajrore të SHBA-së në Evropë dhe Forcat Ajrore në Afrikë, tha në një deklaratë për shtyp se përplasja "gati kishte shkaktuar që të dy avionët të rrëzoheshin".
Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha se avioni rus ka të ngjarë të ketë pësuar dëmtime edhe gjatë përplasjes. Interceptimi zgjati për rreth 30 deri në 40 minuta para përplasjes, sipas gjeneralit Ryder.
EUCOM u bëri thirrje forcave ruse të veprojnë "profesionalisht dhe në mënyrë të sigurt", ndërsa paralajmëroi se këto lloj aktesh janë "të rrezikshme dhe mund të çojnë në llogaritje të gabuara dhe përshkallëzim të paqëllimshëm".
Ndaje me miqte