0030 210 33 18 483

Avokati Bendo: Ja çfarë po ndodh me pronat në Himarë

Artur NURA 16 Dhjetor 2018

Bojhken Bendo, avokat i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë (me Kryetar biznesmenin Nikollaq Neranxi), thotë që banoret në Himarë të cilët preken nga zbatimi i projekteve urbanistike, jo vetëm që nuk janë njoftuar për ekzistencën e ndonjë projekti, por në fakt nuk kanë qenë as pjesëmarrës të ndonjë procedurë shpronësimi.

Më tej, Bendo shpjegon se përse janë sipas tij abuzive disa vendime të qeverisë. Bendo argumenton se banorët i lkanë titujt e pronësisë, por nuk i kanë regjistruar këto prona. Dhe pikërisht këtu qëndron abuzimi: “Sepse subjekti i cili kërkon të zhvillojë projektin verifikon në hipotekë dhe prona i rezulton e lirë dhe ai thotë këto prona janë të lira”...

 

E gjithë intervista që zhvilloi me avokatin Bendo gazetari Artur Nura ka si më poshtë:

 

Pyetje: Avokat Bendo ju mbroni Shoqatën për Mbrojtjen e shtëpive, pronave, kulturës dhe historisë se Himarës. Ju lutem me shpjegoni juridikisht çfare po ndodh në Himarë kur firma Gjikuria në mënyrë arbitrare po ndërhyn në prona private?

Boiken Bendo: Në fakt unë duhet të shpreh habinë time se si po zhvillohet veprimtaria e paligjshme në një Bashki si ajo e Himarës ne vitin 2018! Shpreh habi, sepse atje po veprohet në kushte totale të paligjshmërisë.

Dua të them që siç parashikon edhe ligji për shpronësimet, në çdo rast, subjekti kërkues për shpronësime i cili do të realizojë një vepër për interes publik, duhet të paraqesë një kërkese pranë ministrisë apo ndonjë autoriteti shtetëror. Kërkesës në çdo rast i duhet bashkëngjitur edhe një listë e pronarëve, pronat e të cilëve preken nga ky projekt.

Çfarë ka ndodhur në rastin konkret?! Në fakt, gjykojmë dhe vlerësojmë duke u bazuar edhe në dokumentet me të cilat jemi njohur, kërkesa nuk është shoqëruar me ketë element, apo dokumentacion të nevojshëm në mënyrë që ta bëjë të vlefshme dhe të ligjshme kërkesën.

Rezulton që banoret në Himarë të cilët preken nga zbatimi i këtij projekti, jo vetëm që nuk janë njoftuar për ekzistencën e ndonjë projekti, por në fakt nuk kanë qenë as pjesëmarrës të ndonjë procedurë shpronësimi!

Nga njeri krah, kemi interesin publik si një e drejte themelore që i takon shoqërisë dhe shtetit dhe, nga krahu tjetër kemi edhe të drejtën e pronës private që është një e drejtë themelore kushtetuese.

Po, themi që është i vërtete fakti që prona private nuk është një e drejtë absolute, por ajo mund të kufizohet vetëm duke u zbatuar disa kushte ligjore, siç është rasti i nënshtrimit të procedurave të shpronësimit dhe kundrejt një shpërblimi të drejtë.

Ku çalon e gjithë procedura në rastin konkret? Parashtrova më parë që banorët nuk janë njoftuar për ekzistencën e këtij projekti! Njoftimi i banorëve është kusht ligjor për vlefshmërinë  ligjore të të gjitha procedurave për shpronësimet e banoreve.

Si bëhet njoftimi, sipas ligjit? Nëpërmjet publikimit të kërkesës në fletoren zyrtare, nëpërmjet publikimit të saj në ndonjë gazetë me shpërndarje të gjerë dhe në media lokale. Nuk rezulton që ky njoftim të jetë bërë në këtë mënyrë!

 

Pyetje: Çfarë sjell mosnjoftimi i kësaj kërkese për shpronësim?

Bojken Bendo: Faktikisht u heq banorëve mundësinë për të parashtruar pretendimet që ata mund të kenë në raport me këtë projekt!

 

Pyetje: Në çfarë drejtimesh mund te qëndrojnë pretendimet e banorëve?

Bojken Bendo: Qoftë edhe në këndvështrimin publik, që projekti në fjalë nuk prevalon mbi atë privat. Pra ata japin argumente që e drejta e pronës se tyre prevalon mbi atë projekt formalisht me interes publik.

Pra duhet thënë që edhe projektet publike në interes të kujt zhvillohen? Sigurisht në interes të Komunitetit ku bëjnë pjese edhe ata, banorët pra. Kështu pra themi që pretendimet e tyre nuk mund të jenë vetëm në drejtim të kundërshtimit të projektit, por mund të jenë edhe në përmirësimin e projektit.

Në këtë kuptim, moskryerja e këtij elementi ligjor, njoftimit pra, parashtjellon edhe heqjen e mundësisë së banoreve për te parashtruar interesat dhe interpretimet e tyre në favor të projektit publik, në interesin e vërtetë të publikut.

 

Pyetje: Përsa jemi informuar banoret kanë kryer edhe denoncime publike, pranë komisariatit Himarë, dhe atyre u është thënë që duhet të drejtohen ne Bashki… Pra ata janë të shqetësuar. Ne kemi bërë intervista me ta, por edhe media te tjera dhe, na rezulton që ata janë të shqetësuar sepse sipas tyre është tejkaluar ligji… Si mund ta interpretoni këtë zhvillim nga pikëpamja ligjore?

Bojken Bendo: Në fakt jo është tejkaluar ligji, por ligji nuk është zbatuar fare dhe pra, është injoruar. Ndoshta ata ligjin e kane parë si të panevojshëm, edhe pse është krijuar pikërisht për të rregulluar këto marrëdhënie të grupeve të ndryshme të interesit! Pra për të disiplinuar marrëdhënien nga njeri krahë të qytetarit dhe, nga krahu tjetër, shtetit.

Nëqoftë se ligji nuk zbatohet, edhe marrëdhënia në fjalë është tërësisht e paligjshme.

 

Pyetje: Shoqata qe ju i mbroni interesat ligjore, a ka marre vendim për ta përcjelle në procedurë ligjore dhe këtë proces në gjykatë? Pra kompaninë Gjikuria qe ka kryer këto veprime të paligjshme?

Bojken Bendo: Në fakt, Zyra ligjore Bendo është në përpunim e sipër të Kërkese Padisë të cilën do ta paraqesim brenda pak ditësh në gjykatë.

Kërkese Padia nuk i drejtohet vetëm firmës Gjikuria që është subjekti zbatues i këtij projekti, por i drejtohet të gjithë instrumenteve të tjerë të cilët janë të legjitimuar si persona apo institucione të përfshira në këtë projekt. Këto janë autoritete vendore, autoritete qendrore edhe qytetare patjetër.

Por, doja të parashtroja dhe një moment tjetër, pasi parashtrova aspektin e paligjshmërisë të njoftimit të këtij projekti tek banorët. Përderisa këta banorë nuk janë njoftuar, ata nuk kanë qenë pjesë e procedurës së shpronësimit, pra nuk është kryer një procedure ligjore.

 

Pyetje: Me sa di, ju keni edhe një rast tjetër që jeni ne procedura ligjore kundrejt bashkisë Himarë në mbrojtje te se drejtës se pronës për disa banore atje. Në çfarë nivelesh të kësaj procedure ndodheni?

Bojken Bendo: Ne fakt rasti është pak a shumë i ngjashëm me këtë që po flasim. Pasi edhe në atë rast nuk janë zbatuar aspak procedurat ligjore dhe ato akte, ato procedura ne i kemi kundërshtuar gjyqësisht. Aktualisht çështjet janë në gjykim pranë Gjykatës se Lartë, njëra pra, plani vendor i bashkisë Himarë. Ndërsa projekti i kualifikimit urban ne Spile, Himarë është ne Gjykatën e Apelit.

Është për t’u theksuar fakti që në kundërshtim të këtij projekti është marrë dhe një vendim nga ana e Gjykatës, masë për pezullimin e punimeve për zbatimin e këtij projekti.

Por, sapo merret vendimi nga ana gjykatës, shpejt e shpejt del një projekt tjetër me të njëjtën procedure të jashtëligjshme! Dhe, pretendohet që po zbatojnë projekt tjetër dhe vendimi gjykatës nuk ka efekt mbi të, edhe pse është i njëjti! Këto paligjshmëri duhet të marrin fund një herë e mirë.

 

Pyetje: Dua të përfitoj nga ky bashkëbisedim. Tash së fundi është folur për një projekt ligj të qeverisë “Rama 2” i cili ngrin të drejtën e pronës përfituar nga ligji 7501, në territore bregdetare, dhe padyshim që ky akt ka prekur interesa të caktuara dhe, në rastin konkret në Himarë krejt natyrshëm.

Ju si avokat i të drejtës së pronës si e shikoni këtë veprimtari në korniza ligjore?

Bojken Bendo: Absolutisht titulli i përcaktuar nga ky ligj është një titull tërësisht i ligjshëm. Përsa kohë përmbushen kriteret ligjore për përfitimin e një titulli pronësie dhe, si e tillë nuk ka asnjë arsye, apo shkak ligjor që mund të cënojë të drejtën e pronësisë.

Rivlerësimi i këtij titulli mund të behet qoftë administrativisht qofte ligjërisht. Pra nëse e ka marrë këtë titull, pronësia nga ligji 7501 në të gjitha rastet, është ligjore.

Momenti i rëndësishëm për t’u prekur në këtë interpretim ligjor me të cilin ndoshta është abuzuar ndër vite në lidhje me të drejtat e pronarëve në qytetin e Himarë, është problemi i regjistrimit të pronave, pra që ata nuk kanë akoma çertifikatë pronësie.

Pra ky boshllëk administrativ, sa edhe ligjor, ka lënë hapësira për abuzime nga pushteti ndër vite dhe në periudhë të vazhduar.

Pse? Sepse dihet në rang publik që pronat nuk janë të regjistruara. Në raste te tilla, kur kërkohet që të zhvillohet ndonjë projekt publik, ai verifikon titujt e pronësisë në Hipotekë dhe në një vlerësim dashakeqës, çfarë ndodh? Abuzim. Pse ndodh abuzimi? Sepse subjekti i cili kërkon të zhvillojë projektin verifikon në hipotekë dhe prona i rezulton e lirë dhe ai thotë këto prona janë të lira!

 

Pyetje: Çfarë do te thotë ligjërisht regjistrimi ne hipoteke?

Bojken Bendo: Regjistrimi në hipoteke ka thjesht karakter deklarativ. Pra nuk të bën apo të zhbën pronar. Pronar të bën apo të zhbën titulli, akti i marrjes se pronësisë, kontrata e shitjes, apo mjete të tjera të ngjashme.

 

Pyetje: Po në Himarë, a kanë qytetaret nga këto akte marrjeje pronësie?

Bojken Bendo: Në dijen time dhe me korrespondencën qe ka patur zyra jonë e avokatisë, shumica dërmuese e tyre janë të pajisur me tituj pronësie. Kur them tituj, nënkuptoj qofte aftp, qofte vendim të kthimit të pronave në raste kur i kanë, apo në forma të tjera ligjorë të parashikuara nga ligji.

Handikapi qëndron në regjistrimin e këtyre pronave në Hipotekë. Mos regjistrimi i tyre në mjaft raste ka përbërë një boshllëk ligjor i cili ka përcjellë shkas për abuzime për shkak të keqdashësish, apo interesave korruptive.

 

Pyetje: Unë di që në parim universal prona është e patjetërsueshme, pra titulli i pronësisë mund të tjetërsohet vetëm me vullnet të ligjshëm të pronarit. Si mund ta përkufizojmë rastin shqiptar, pse jo në veçanti rastin e Himarës?

Bojken Bendo: Është e vërtetë qe në Shqipëri, pas kaq e kaq vitesh, prona sot ende nuk ka shkuar tek i zoti. Megjithatë kjo është një procedure e cila herët a vone do të gjejë zgjidhjen e vet.

Por shqetësimi im lidhet me momentin pas fitimit të titullit të pronës. Sa realisht e gëzon pronën dhe sa respektohet realisht ajo. Pa pretendime të të tretëve. A ka të drejte ta disponojë pronën sa dhe si duhet!?…

Këto detyra i janë lënë shtetit shqiptar nga ana e ndërkombëtareve dhe shpresojmë ta ndryshojmë këtë situatë dhe raste absurde abuzime si këto të Himarës të mos ketë më.

Ndaje me miqte