Avokati Kostas Dedes: Ja pse kërkoj votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 7 korrikut
Robert Goro
20 Qershor 2019
Janë të shumtë shqiptarët në Greqi që e njohin si një avokat, i cili kaq e kaq vite ofron me mjaft korrektesë shërbimet e veta bashkatdhetarëve.
Është Konstantinos Dedes, drejtuesi i zyrës së avokatisë DEDES & ASSOCIATES.
Tanimë do ta njohim edhe si politikan. Konstantinos Dedes kandidon me listën e Demokracisë së Re në Anatoliki Atiki (Atika Lindore).
Në fakt, Konstantinos Dedes aktivizohet prej shumë vitesh të partia më e madhe opozitare që synon të rikthehet në pushtet pas zgjedhjeve të 7 korrikut; ai është përgjegjës i seksionit për investimet private, kompetivitetin dhe marrëdhëniet me jashtë, në departamentin e zhvillimit të Demokracisë së Re.
Si “i njohuri ynë i vjetër”, ishte normale që intervista e tij e parë si kandidat për deputet të jepet për Televizionin Tribuna.
ROBERT GORO: Pas një karriere shumëvjeçare dhe të suksesshme në fushën e avokatisë tani kandidoni në zgjedhjet e 7 korrikut. Si ju bë propozimi dhe çfarë ju shtyu në këtë vendim?
KONSTANTINOS DEDES: I përkas brezit më të ri të kuadrove të Demokracisë së Re. Deri tani kam çarë me forcat e mia dhe vendosa të “zbres” në arenën e politikës me qëllim që të ofroj dijet dhe përvojën time, ashtu siç këto kanë rezultuar pas 20 vjetësh si avokat aktiv. Kështu që e konsideroj si nder që Kyriakos Mitsotakis dhe Demokracia e Re më përzgjodhën si kandidat për deputet në Atikën Lindore. Kapacitetet e shumta dhe të mëdha të Atikës Lindore përbëjnë për mua një stimul me qëllim që të kontribuoj me gjithë forcat e mia për të shkuar vendi përpara.
ROBERT GORO: Pavarësisht nga fitorja spektakolare e Demokracisë së Re në zgjedhjet e 26 majit, besoj se pajtoheni me mua që zgjedhjet e 7 korrikut janë krejt të ndryshme. Për mendimin tuaj, ku bazohet bindja se ND do t’i fitojë edhe zgjedhjet e përgjithshme dhe madje duke siguruar maxhorancën e nevojshme që të krijojë e vetme qeverinë?
KONSTANTINOS DEDES: Zgjedhjet për parlamentin Europian i dhanë mundësinë popullit që të shprehë zhgënjimin e plotë ndaj qeverisë SYRIZA, sa për menaxhimin e problemeve të politikës së jashtme, aq edhe për politikën e papërgjegjshme që ushtruan vitet e fundit në planin e brendshëm. Jam më tepër se i bindur që qytetarët, përmes votës së tyre, do të shprehen sërish fuqishëm, duke mbështetur programin dhe vizionin e Demokracisë së Re, me qëllim që të nesërmen, me një qeveri maxhoritare dhe me kryeministër Kyriakos Mitsotakis-in, ta shpiem Greqinë në një rrugë zhvillimi dhe prosperiteti, ashtu siç i takon me të vërtet vendit tonë.
ROBERT GORO: Duke ndjekur pozicionimet e zotit Mitsotakis dhe figurave të tjera të partisë, krijohet përshtypja se Demokracia e re e ka fokusuar gjithë vëmendjen te shtresa e mesme, në kohën që kriza ka goditur dhe madje më shumë, shtresat më të dobëta, përfshirë emigrantët. Kjo strategji a nuk do të mund të kishte pasoja negative në rezultatin zgjedhor të Demokracisë së Re?
KONSTANTINOS DEDES: Programi i Demokracisë së re është një program i kompletuar dhe i përllogaritur, që synon në ristartimin e ekonomisë, me veprime të karakterit zhvillimor. Objektivi i partisë tonë është krijimi i vendeve të reja të punës përmes modelit të zhvillimit dhe shmangia e rrethit vicioz të politikës së kompensimeve që zbatonte qeveria e SYRIZA-s, me rezultat nga njëra anë të reduktojë paga dhe pensione dhe nga ana tjetër, para zgjedhjeve të jepte kompensime që i pagëzonte si pensioni i 13-të. përforcimi i shtresës së mesme, përkundër sa bëri në dëm të saj qeveria në largim, përbën për Demokracinë e re një nga akset më të rëndësishme të politikës qeveritare, e cila në të njëjtën kohë do të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme në shtimin e të ardhurave të shtresave më të dobëta sociale dhe rrjedhjen e fuqisë punëtore, mes të cilëve shumë emigrantë, që vitet e fundit po largohen nga Greqia.
ROBERT GORO: Në analizat tuaja që publikohen sistematikisht, ju merreni thuajse ekskluzivisht me temën e ekonomisë. A mund të na përshkruani telegrafikisht prioritetet e Demokracisë së re për këtë sektor kaq të rëndësishëm?
KONSTANTINOS DEDES: Sa i përket ekonomisë, Demokracia e Re do t’i mëshojë veçanërisht rifitimit të kredibilitetit të vendit. Prioritet të parë për partinë tonë përbën krijimi i vendeve të reja të punës, përmes tërheqjes së investimeve dhe hyrjes së kapitaleve në vend. Një tjetër prioritet, në kuadër të ristartimit të ekonomisë, është lehtësimi gradual i tatimeve, duke u fokusuar në reduktimin e ENFIA-s (taksa e pasurisë së patundshme) dhe kontributeve për sigurimet shoqërore, duke shtuar paralelisht shpenzimet sociale për shtresat në nevojë.
ROBERT GORO: Shumë prej bashkatdhetarëve e mi dhe në përgjithësi emigrantët e huaj, konsiderojnë se rikthimi i Demokracisë së re do të ketë pasoja të pakëndshme sa i përket menaxhimit të çështjes së emigracionit (dhe e kem fjalën për masën e madhe të emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi prej 20-25 e më shumë vjetësh). Si i përgjigjeni këtij vlerësimi?
KONSTANTINOS DEDES: Emigrantët që jetojnë e punojnë në Greqi gjithë këto vite, janë pjesë e tërësisë sociale që kontribuon në jetën ekonomike të vendit. Qytetarët shqiptarë, numerikisht, përbëjnë majën e emigrantëve që jetojnë këtu. Ata nuk duhet të kenë asnjë frikë, sepse magma e politikës ekonomike që do të zbatohet do të influencojë pozitivisht edhe për ata, si qytetarë aktivë të këtij vendi. Përndryshe, duhet të vej në dukje se Kodi i Politikës së Emigracionit që zbatohet në vendin tonë, u votua në 2014-n nga qeveria Samaras, duke dëshmuar në këtë mënyrë vullnetin e partisë tonë edhe atëherë, edhe tani, për organizimin përmes legalizimit, të emigrantëve që jetojnë në Greqi.
ROBERT GORO: Nga përvoja juaj në çështjen e emigracionit, a ka hapësirë për përmirësimin e politikave përkatëse – dhe gjithmonë e kam fjalën për emigrantët “e vjetër”. Nëse po, ku mund të bëhen këto përmirësime?
KONSTANTINOS DEDES: Sipas Kodit të Emigracionit, u jepet mundësia atyre që jetojnë në Greqi për një kohë të gjatë (shtatë vjet) si të paligjshëm, u jepet mundësi pra, që të legalizohen. Mirëpo burokracia funksionon si pengesë ndaj këtyre emigrantëve, që për fat të keq duhet të presin një vit e më shumë vetëm për të dorëzuar kërkesën për legalizim. Pastaj, pas dorëzimit të kërkesës, presin dhe për shumë kohë nxjerrjen e vendimit, duke qëndruar po ashtu për një kohë të gjatë me një vërtetim që kanë dorëzuar kërkesën, vërtetim që nuk u jep as mundësinë që të punojnë ligjërisht. Vlerësoj se shqyrtimi brenda një kohe shumë të shkurtër i këtyre kërkesave për ata emigrantë që edhe pse të paligjshëm gjenden për një periudhë shumëvjeçare në Greqi, do të jepte një frymëmarrje të re, pasi në këtë mënyrë shumë bashkëqytetarët tanë do të legalizohen dhe në këtë mënyrë trajtohet edhe plaga e punës së zezë e të padeklaruar.
ROBERT GORO: Shumë prej bashkatdhetarëve tanë ia kanë besuar zyrës tuaj të avokatisë zgjidhjen e problemeve të tyre. Çfarë përshtypjes keni përftuar nga bashkëpunimi me emigrantët shqiptarë?
KONSTANTINOS DEDES: Qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi përbëjnë qartësisht një segment të rëndësishëm të jetës ekonomike të vendit tonë. Niveli i integrimit të tyre është ndoshta më i lartë ndër gjithë emigrantët që jetojnë në Greqi. Prej shumë vitesh, brezi i dytë i shqiptarëve studion në shkollat dhe universitetet greke. Gjatë këto vite për shkak të profesionit tim, kisha nderin të bashkëpunoj dhe të përfaqësoj qindra qytetarë shqiptarë. Ata dallohen veçanërisht se janë shumë punëtorë, e kanë të fuqishme ndjenjën e mirënjohjes dhe konsideroj me siguri që pas kaq vitesh e konsiderojnë Greqinë si atdheun e tyre të dytë.
ROBERT GORO: Ju kandidoni në Atikën Lindore, ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh dhe homogjenësh që eventualisht do të votojnë në zgjedhjet e 7 korrikut. Ma merr mendja që e llogarisni edhe votën e tyre. Cila besoni se është arsyeja kryesore që ata të votojnë për ju?
KONSTANTINOS DEDES: Gjithë këto vite kam dëshmuar me punën time përkushtimin e plotë për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshen qytetarët shqiptarë në jetën e tyre të përditshme. Jam gjendur mes tyre, kam biseduar me ta, i di problemet e tyre dhe pretendoj votën e tyre duke iu premtuar që do të përgjigjem me ndjenjë përgjegjësie për zgjidhjen e problemeve të tyre.
ROBERT GORO: Zoti Dedes, ju uroj sukses.
KONsTANTINOS DEDES: Ju falënderoj shumë që më dhatë mundësinë t’i drejtohem publikut të TV Tribuna.
Ndaje me miqte