0030 210 33 18 483

Banesat për studentët, vështirë për t’u gjetur, shtrenjtë për t’u paguar

Tribuna TV 02 Shtator 2018

Ditët e fundit të gushtit u shpallën rezultatet e testeve të pranimit në shkollën e lartë.

Menjëherë pas kësaj, ka nisur dhe maratona e prindërve që të gjejnë nga një banesë për fëmijtë e tyre që këtë vjeshtë do të fillojnë studimet universitare.

Mes tyre -ashtu si dhe gjithë vitet e mëparshme - ka edhe shumë shqiptarë.

Gjetja e një banese në një nga dhjetra qytetet greke ku ka universitete apo filiale, nuk është një çështje e thjeshtë. Dhe nuk mjafton vetëm të kesh paratë e nevojshme, që edhe ato prindërit mund t’i kenë sigurojnë me  mjaft vështirësi.

Tribuna TV prezanton situatën më të fundit, lidhur me numrin e banesave të disponueshme, zonat dhe çmimet për çdo zonë.

 

ATHINA

Këtë vit, çmimet në Athinë paraqesin një rritje prej 30% krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë është mjaft vështirë që të gjenden, për shkak se shumica e banesave të disponueshme janë kontraktuar për llogari të platformës Airbnb.

Sipas zyrave immobilare, qeraja mujore një shtëpi me sipërfaqe 50 m2, në gjendje të mirë, mund të shkojë nga 500 në 600 euro.

Zonat që kërkohen më shumë dhe rrjedhimisht kanë dhe çmimet më të larta, janë:

Qendra e Athinës

Eksarhia

Polyteknio

Zografoy

Zonat në afërsi të Universitetit Panteion

 

PIREU

Këtu situata është më ndryshe dhe çmimet janë shumë më të ulëta, me gjithë një rritje të vogël në krahasim me vitin e kaluar.

Preferohen banesa në qendër të Pireut, ku ka më shumë ndërtime të vjetra se sa të reja. Çmimet variojnë nga 4-5 euro për metër katror. Domethënë, një banesë me sipërfaqe 50 m2, merret me qera për 200-250 euro në muaj.

 

SELANIKU

KUJDES: Ekspertët paralajmërojnë se deri më 10 shtator nuk do të gjendet as edhe një banesë e disponueshme, as e lirë dhe as e shtrenjtë!

Në Selanik çmimet variojnë sipas zonave.

Një banesë 80 m2 në rrugën Mitropoleos kushton 600 euro në muaj.

E njëjta banesë në Tumba e ka qiranë mujore 400 euro dhe në Neapoli, 280 euro.

Zonat më të kërkuara:

Qendra historike e Selanikut

40 kishat (40 eklisies)

Triandria

Tumba

Neapoli

Polyhni

Ampelokipi

Menemeni

Instituti Francez (Galiko Instituto).

 

PATRA

Në Patra është shumë lehtë të gjesh banesë dhe madje me çmime të mira.

Zonat më të preferuara janë në afërsi të Qytetit të Studentëve (Panepistimiupoli) dhe në afërsi të TEI.

Çmimet për ndërtesat e reja variojnë nga 250 – 300 euro në muaj.

Për ndërtesat më të vjetra, nga 150 deri 220 euro.

Për banesat me dy dhoma e kuzhinë (“Dhiari), në zonën Panepistimiupoli: 280-400 në muaj për godinat e reja dhe 220 – 300 për të vjetrat.

Në zonën e TEI: 220-300 euro për godinat e reja dhe 180 – 250 euro në muaj për më të vjetrat.

 

JANINA

Ka kërkesë mjaft të madhe për banesa në qendër të qytetit, gjë që për studentët e vitit të parë konsiderohet si e vështirë.

Megjithatë, ekspertët thonë se në periudhën tetor – nëntor në qendër, do të ketë shumë apartamente që lirohen.

Çmimet ndryshojnë në varësi të moshës së banesës, katit dhe asaj çka ofrojnë.

Në godina të reja: Garsoniera = 200 euro në muaj

2 + 1 (Dhiari) = 400 euro në muaj.

Në godina të vjetra: Apartament me dy dhoma gjumi, një dhomë ndenjieje dhe banjë në godinë të vjetër, kushton 300 euro në muaj.

 

KRETA

Në gjithë qytetet e Kretës ku ka filiale të universitetit, është problem gjetja e banesave. Ky problem është akoma më i madh në Iraklio dhe në Rethimno.

Një tjetër problem është se pavarësisht çmimeve shumë të larta, studentët janë të detyruar t’i lirojnë apartamentet në muajin prill, ngase ato do t’u jepen në përdorim turistëve.

IRAKLIO

Siç thamë, numri i apartamenteve të disponueshme nuk i përgjigjet kërkesës shumë të lartë.

Në qendër të qytetit ku është kërkesa më e madhe, çmimet për një garsonierë me sipërfaqe 25 apo 30 m2, arrijnë në 350 – 400 euro në muaj.

Në zonat më larg qendrës çmimet janë më të ulëta, mund të shkojnë deri në 180 euro në muaj. Mirëpo këtu është problem shumë i madh komunikacioni, pasi transporti publik funksionon me shumë mangësi.

Ekspertët këshillojnë që kërkimi për banesë të fillojë në muajin tetor, kur largohen turistët.

HANIA

Edhe në Hania raportohet se nuk ka banesa të disponueshme.

Por vitet e fundit disa hotele ofrojnë dhoma për studentët kundrejt një pagese nga 200 deri 250 euro në muaj.

Sa për statistikë, qiraja për një garsonierë të vjetër është 300 euro në muaj, ndërsa për një “dhiari” 300-400 euro në muaj.

RETHIMNO

Një fakt interesant: Ndërsa kërkesa është për 150  banesa në muaj, të disponueshme janë veçse 10.

Çmimet janë shumë “të kripura”:

Një garsonierë me sipërfaqe 25-30 m2, kushton 300 – 330 euro në muaj.

Në qendër të qytetit, ku ka funksionim të mirë edhe transporti publik, qiraja për një “dhiari” është nga 400 – 430 euro.

 

KORFUZI

Universiteti Jonian i Korfuzit ka 5.000 studentë, por konviktet universitare kanë kapacitet për vetëm 400.

Brenda në qytet çmimet janë shumë të larta. Për një garsonierë, vetëm qiraja shkon 300 euro në muaj. “Dhiari” i vogël shkon deri 600 euro në muaj.

Ekspertët këshillojnë që prindërit të marrin me qira banesa jashtë qytetit. Por këtu është problem komunikacioni, që në muajt e dimrit e ndërpret punën në orën 22,00.

 

THESALIA

Në gjithë qytetet e Thesalisë (me përjashtim të Volosit), situata paraqitet më e mirë se në shumë rajone të tjera të vendit.

LARISA

Në Larisa shumica e apartamenteve janë të pamobiluara. Ndërkaq, disponojnë ngrohje apo kondicioner.

Garsonierat me sipërfaqe 20-30 m2 si dhe studiot, kanë një qira nga 150 – 220 euro në muaj. Ndërsa po të jenë të mobiluara, qiraja është respektivisht 170 – 260.

“Dhiari” me sipërfaqe 35-50 m2, kanë një qira nga 180 – 280 euro. (20 – 40 më shumë nëse janë të mobiliara).

TRIKALA

Garsonierë deri 30 m2, me kondicioner por e pamobiluar = 150 euro në muaj.

Apartament me dy ambiente, me sipërfaqe 40 m2, i mobiluar dhe me gjithë llogaritë të paguara = 400 euro në muaj.

KARDHITSA

Në Kardhitsa shumica e godinave janë ndërtime të reja.

Garsonierë dhe studios, me sipërfaqe 25-35 m2 (pa mobilje) = 150 – 220 euro në muaj.

Garsonierë dhe studios, me sipërfaqe 25-35 m2 (me mobilje) = 170 – 250 euro në muaj.

“Dhiari” 40-50 m2, pa mobilje = 180 – 260 euro në muaj.

“Dhiari” 40-50 m2, me mobilje = 200 – 300 euro në muaj.

VOLOS

Në Volos raportohet se kërkesa është më e madhe se oferta. Në qendër të qytetit, ku ka dhe më shumë kërkesa, çmimet kanë një rritje nga 5 deri në 10%, krahasuar me një vit më parë.

Në qendër, një “dhiari” jepet me qira nga 260 – 320 euro në muaj.

Një garsonierë 25-35 m2 = 190 deri 230 euro në muaj.

Apartamentet e reja (të ndërtuara pas vitit 2000), ofrohen me një qira nga 300 deri në 360 euro në muaj.

Çmimet janë më të mira në zona si Nea Ionia dhe Neapoli.

Pozitivja në Volos është  se ka një rrjet shumë të mirë të transportit publik që ndërlidh me itinerare shumë të shpeshta gjithë zonat e qytetit.

Ndaje me miqte