0030 210 33 18 483

Basha akuzon vëllain e kryeministrit: “I përfshirë në trafikun e kokainës”

Tribuna TV 07 Shtator 2018

Kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha, ka lëshuar akuza mjaft të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin ka thënë se “bashkëqeveris me krimin”.

Bashka ka akuzuar drejtpërdrejtë vëllain e kryeministrin, Olsi Ramën, si të përfshirë në fabrikën e kokainës në Xibrakë, e cila sipas tij “u çmontua vetëm pas ndërhyrje së partnerëve të fuqishëm ndërkombëtarë”.

Lulzim Basha i bëri këto deklarata gjatë fjalës në mbledhjen e grupeve parlamentare të opozitës, që u mbajt në Elbasan.

“Elbasani ka edhe një simbolikë tjetër, ka një simbolikë, sepse këtu në Elbasan është edhe gjeneza e bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Xibraka, fabrika e kokainës, e çmontuar vetëm pas ndërhyrjes së fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë, është çengeli kriminal që mban varur Edi Ramën, përmes asaj që dihet botërisht, pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, në një ndërmarrje kriminale, të shtrirë nga Kolumbia në Shqipëri, për përpunimin e qindra milionë eurove kokainë.

Faktet e përfshirjes së vëllait të Edi Ramës në këtë aferë kriminale të përmasave evropiane, janë fshehur në një mënyrë po kaq kriminale nga Saimir Tahiri dhe kupola e lartë e Policisë së Shtetit. Ato vazhdojnë të mbeten të fshehura për shkak të Fatmir Xhafës dhe shokut të Agron Xhafës në krye të policisë, Ard Veliut. Dhe kjo është arsyeja pse sabotohet veprimtaria e komisionit hetimor, kjo është arsyeja pse ministria e brendshme e Fatmir Xhafës dhe policia e Ard Veliut, nuk kanë çuar një document të vetëm, në kundërshtim flagrant me ligjin, sepse faktet tronditëse që do të dalin nga një hetim i plotë parlamentar do të provojnë katërcipërisht se këtu në Elbasan, në Xibrakë, bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin, përmes vëllait të tij në aferën e kokainës, ngriti çengelin nga ku varet tash 5 vjet Edi Rama. Çengelin e krimit të organizuar që ka marrë peng qeverisjen e vendit dhe Shqipërinë”, theksoi Basha.

“Nuk ka qytet më të përshtatshëm për t’ju shpjeguar të gjithë shqiptarëve, edhe pseudo të shqetësuarve nga fokusi i opozitës tek krimi, sepse pa u çliruar nga krimi nuk do të ketë asnjë përparim domethënës dhe e keqja do të vazhdojë të kaplojë shtëpitë, familjet dhe fatin e shqiptarëve. Krimi i organizuar nuk është thjesht dhe vetëm çështje sigurie, rendi, siguria kombëtare është edhe çështje ekonomie”, tha më tej kryetari i PD-së..

Ndaje me miqte