Basha: Anulimi i 30 qershorit, nga bashkimi i shqiptarëve të lirë
TV Tribuna
09 Qershor 2019
“Vendimi për anullimin e 30 qershorit u diktua nga bashkimi i shqiptarëve të lirë me vlerat europiane dhe amerikane për të mos pranuar një proces monist, kriminalo-autokratik të bandës së Edi Ramës”, deklaroi gjatë protstës së të shtunës kryetari i PD, Lulzim Basha.
Bota është tronditur nga përgjimet e publikuara nga BILD, që faktuan se Edi Rama është një kryeministër ilegjitim, se pushtetin nuk e mori me vota, por e mori me krimin dhe me bandat.
Bota e di se në Shqipëri sundon një qeveri e zgjedhur nga mafia dhe jo nga populli. Më kot, Edi Rama po bën gjithçka për t’i shpëtuar gjykimit. Gjykimi i Europës po vjen, gjykimi i popullit është i pashmangshëm.
Anullimi i procesit kriminal të 30 qershorit nuk është fundi i betejës sonë. Është vetëm një rezultat i qëndresës së një populli të bashkuar për Shqipërinë si gjithë Europa.
Anullimi i 30 qershorit është prova e forcës së bashkimit tonë, por është vetëm një hap i vogël përpara. Ne do ta vazhdojmë betejën. Fitorja e saj na bashkon përtej ndasive partiake. Ajo e çliron vendin nga zgjedha e krimit.
Është koha që, si popull i bashkuar, nën sytë e një bote që na vëren dhe miqve të gatshëm për të na ndihmuar, të hedhim hapat tanë finalë drejt zgjidhjes së krizës politike.
Mesazhi i qartë i kësaj proteste madhështore është se shumica jemi ne, se ne nuk do të hedhim asnjë hap pas, deri në realizimin e objektivit tonë. largimin e Edi Ramës, një qeveri tranzitore, zgjedhje të lira e të ndershme.
Ne duam vlera dhe standarde evropiane, ne duam zgjedhje të standardeve evropiane, shqiptarët meritojnë e do të kenë qeveri evropiane, nga shqiptarët, te shqiptarëve dhe për shqiptarët.
Gjermania ka folur qartë. Vetëm me standarde europiane, ky vend mund të bëhet pjesë e BE. Pengesa për hapjen e negociatave është vetëm kryeministri i Avdylajve, qeveria e ardhur me votën e krimit.
Kushdo që mbyll sytë para diktaturës së krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës, gënjen veten. Edi Rama nuk mund të reformohet. Ai është koka e shtetit të bërë njësh me krimin. Edi Rama duhet të largohet!
Dua të siguroj këdo, mik dhe aleat, se ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se parimet, vlerat, standardet e Evropës dhe SHBA. Ne kërkojmë sundim të ligjit, ndarje dhe balancim të pushteteve. Nuk do të pranojmë asgjë më pak.
Rruga e daljes nga kjo krizë e thellë politike nuk ka as pse të shpiket. Do të jetë vetëm një rrugë, rruga e standardeve dhe e precedentëve evropianë. Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.
Sonte dështoi me turp plani ogurzi i provokatorëve të dhunës, që duan të ndalin trajektoren e pandalshme të ngjarjeve, që sapo kanë nisur dhe do të çojnë në rrëzimin e tiranisë së krimit.
U bëj një thirrje njerëzve me përgjegjësi politike të kupolës socialiste: ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni kontrollin politik të partisë dhe uluni në dialog për zgjidhje politike pa Edi Ramën kryeministër, me një qeveri tranzitore.
Le të garojmë para shqiptarëve me zgjedhje të lira e të ndershme dhe të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar Partinë Socialiste nga krimi.
Një gjë është e sigurtë: forcë që ta ndalë bashkimin popullor për rrëzimin e organizatës kriminale të rilindjes, nuk ka e nuk do të ketë. Ne nuk do të tërhiqemi asnjë çast! Asnjë hap pas!, përfundoi Basha.
Ndaje me miqte