Basha: Aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit, misioni ynë i madh
ATSH
17 Shkurt 2020
TIRANË, 17 shkurt /ATSH/- “Aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në urimin e tij për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Basha e konsideroi pavarësinë e Kosovës si ditën e dytë më të rëndësishme në historinë kombëtare.
“Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, në ditën e dytë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ju uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës! Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtet formimit”-tha ai.
Po ashtu, Basha shprehu angazhimin e opozitës sot dhe të qeverisë nesër për integrimin e Kosovës.
“Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh. Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjëherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Gëzuar Kosovë!”, u shpreh Basha.
Ndaje me miqte