0030 210 33 18 483

Basha: Ja pse Edi Rama sulmon "Zërin e Amerikës"?

Lulzim BASHA 31 Janar 2019

Shfaqja e shëmtuar e një njeriu të droguar, që patë këtu, ka vetëm një shpjegim. Edi Rama vendosi në fillim që të mos vinte në këtë seancë. Pastaj erdhi, në gjendje vërtet të rënduar fizike. Nuk është se kjo përbën ndonjë shqetësim përsonal për ne si opozitë, por përbën një tregues se në krye të vendit, kemi një njeri i cili ka refuzuar vazhdimisht të bëjë testin e drogës. Ka refuzuar vazhdimisht legjislacionin e kontrollit mendor, të atyre që marrin vendime në emër të shqiptarëve, dhe paraqitet vazhdimisht në këtë sallë në një gjendje të rënduar psiqike.

Sot, më shumë shumë se herët e tjera, duhet ta kuptojmë se pse gjendja e tij psiqike është kaq e rënduar.

Për herë të dytë brenda dy javëve, Edi Rama ka bërë atë që për herë të fundit, e bënë përfaqësuesit e diktaturës komuniste në Shqipëri: e ka quajtur Zërin e Amerikës, kazan. Njësoj siç akuzon dhe quan mediat e ndryshme të vendit, të cilat nuk i shkojnë pas midesë.

Arsyeja se pse Edi Rama, sot, sulmoi për herë të dytë Zërin e Amerikës, është sepse mbrëmë, Zëri i Amerikës, ka publikuar një hetim të thelluar të një rrjeti investigativ gazetarësh, i cili bazuar mbi të dhëna zyrtare të prokurorisë shqiptare, tregon se si Edi Rama në 2017-ën, e mori pushtetin me ndihmën e bandave kriminale dhe parave të drogës.

Konkretisht: vetëm një hetim, vetëm një dosje. Dosja 339, tregon vetëm për aq sa është zbuluar para syve të shqiptarëve,  sepse siç e keni parë, shumica dërrmuese e përgjimeve nuk janë zbardhur akoma, pra me fjalë të tjera, vetëm maja e ajsbergut të një përgjimi të vetëm, tregon se si në katër qarqe; në Tiranë, në Lezhë, në Dibër dhe në Durrës, Edi Rama ka sjellë këtu, ka trafikuar këtu në këtë Kuvend, jo deputetë të zgjedhur nga vota e mbështetësve të PS, por kukulla të krimit.

Kjo, natyrisht nuk është asgjë e re për ne. Denoncimin e parë për këtë çështje e ka bërë Partia Demokratike. E kam bërë unë nga kjo foltore, në nisje të kësaj pseudo legjislature. Por, rëndësia e asaj që ka denoncuar dje Zëri i Amerikës, është se tashmë nuk ka asnjë dyshim, absolutisht asnjë dyshim, se akuzat e opozitës, pretendimet e opozitës, të shënuara dhe të pranuara edhe në raportin e OSBE-ODHIR, jo vetëm qëndrojnë mbi fakte, por këto fakte përbëjnë prova ligjore. Dhe këtë nuk e them unë. Nuk e thotë as Komisioni ynë parlamentar, i cili u bllokua për 11 muaj, pikërisht që mos të dilte e vërteta në dritë. E thotë Zëri i Amerikës dhe kjo është arsyeja se pse Edi Rama, së pari, u mundua t’i fshihet ballafaqimit me të vërtetën, dhe së dyti erdhi këtu në gjendje të droguar dhe nxori nga goja vulgaritet e zakonshme, me shpresën se këto do të dominojnë ciklin e lajmeve, se këto do të dominojnë mendjen e qytetarëve dhe jo ajo që nuk ka shoshë ta mbulojë. Ne kemi sot një Parlament ilegjitim, një maxhorancë ilegjitime, një qeveri ilegjitime, dhe një kryeministër ilegjitim.

Mashtrimet bajate dhe gënjeshtrat e trasha që këputi, nuk e shpëtojnë dot. Sikundër nuk e shpëton dot edhe përpjekja për të manipuluar, duke u kapur pas fijes së kashtës.

Ju e dini zonja e zotërinj, se kam pasur nderin të shërbej si ministër i juaj i jashtëm, për një periudhë kohe, por jo vetëm nga kjo pikëpamje, nuk ka nevojë të jesh ministër i jashtëm ta dish se supërfuqitë e botës, SHBA, aleatët strategjikë, në konduktin e Politikës së Jashtme e kanë të domoshdoshme të komunikojnë me lloj lloj shtetesh, lloj lloj qeverish dhe lloj lloj njerëzish. Është detyrë e këtyre zyrtarëve të lartë të cilët kam patur nderin t’i takoj, të bashkëpunoj në veçanti përsa i përket futjes së Shqipërisë në NATO, që të flasin edhe me aleatë, edhe me kundërshtarë, edhe me njerëz problematikë, për çështje që kanë të bëjnë për interesin e tyre, interesat e politikës së tyre dhe shpeshherë interesa të përbashkëta. 

Por kjo nuk do të thotë që Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë apo institucionet e tjera amerikane të vendit, nuk e dinë se çfarë po ndodh këtu. Sepse është vetë Zëri i Amerikës, një institucion i financuar nga qeveria amerikane, i cili ka publikuar faktin se Edi Rama është një kryeministër fallso, i cili ka ardhur në pushtet me banda dhe me paratë e drogës. 

Prandaj, çfarëdo interesi apo çfarëdo teme që mund të detyrojë John Bolton, apo vartësit e tij, apo këdo tjetër, të telefonojë huliganët dhe gangsterët e Ballkanit, siç është Edi Rama, kjo nuk i bën ata njerëzit më të mirë. Thjesht, për momentin, ndodhen në anën tjetër të telefonit. Ndodhen në anën tjetër të telefonit për fat të keq edhe të aleatëve tanë strategjikë, ndodhen në anën tjetër të telefonit për fat të keq të integrimit europian të Shqipërisë, por mbi të gjitha ndodhen në anën tjetër të telefonit për fat të zi të shqiptarëve. Shqiptarët e dinë se qeveria i ka braktisur dhe i ka lënë në mëshirë të fatit.

Shteti nuk punon më për hallet tuaja të përditshme, shteti nuk punon më. 

Edi Rama merret vetëm me punët e veta personale, për pasurimin e tij personal dhe projektet e veta personale të pushtetit dhe mbrojtjes së parave që i vjedh ditë për ditë. 

E ka më të rëndësishme të ulet me ato katër-pesë oligarkë, sepse e gjithë kjo shfaqje që bëhet këtu e ka edhe një faturë. Fatura vetëm te unaza, kapari i Unazës është 5 milion euro. Pse? Sepse një kompani, u fut dhe prishi skemën. Nuk e mori Gjoka siç kishim paralajmëruar ne dhe nuk pati guximin të skualifikonte ofertën më të ulët. 

E gjithë kjo zhurmë këtu bëhet që drejtpërdrejt dhe në darkë nga mediat, shqiptarët e varfëruar deri në palcë, të mos dëgjojnë këtë fakt tronditës. 5 milionë euro, barabartë me fondin që nuk iu dha kurrë familjeve të përmbytura që vizitova dje në Kamëz. 

Barabartë me një të tretën e fondit të familjeve të përmbytura në Shkodër, të cilat nuk kanë parë një qindarkë dëmshpërblim. Barabartë me fondin që do të mund t’ju lehtësonte jetën 5 mijë familjeve dhe 5 mijë studentëve që të shkonin në shkollë pa u zhytur në borxh dhe pa rënë nga pasha, si ato studentët që shohim në studiot televizive, kur marrin fjalën plot me kurajo, plot me energji, por të kequshqyer. 

Po kaq është edhe shuma e vjedhur nga KESH-i sipas investigimit të një organizate sllovene. Brenda një ditë nën drejtimin e Edi Ramës, KESH-i ka blerë dhe ka shitur, ka bërë transaksione të cilat kanë mundësuar që një dorë e vetme, të fitojë 4.5 milionë euro. 

E pra ja ku jemi vetëm me këto dy afera, të vogla në krahasim me afera të tjera të këtij kryeministri, I kanë kushtuar shqiptarëve 9 milionë euro. 

9 minuta si klloun me ato gjestikulacione, që besoj po qarkullojnë tani nëpër rrjete sociale, nuk janë gjë tjetër veçse shfaqja e Edi Ramës, shfaqje të cilën e ndihmojnë edhe ne kur i themi thjesht dhe vetëm “i sëmurë psiqik”. Edi Rama nuk është thjesht dhe vetëm një i sëmurë psiqik, është një hajdut psiqik. Dhe ditë pas dite, javë pas jave dhe muaj pas muaji në Shqipëri, me afera të tilla, sipas dokumenteve zyrtare të shtetit shqiptar, i ka vjedhur shqiptarëve pothuaj buxhetin e një viti. E dini çfarë do të thotë kjo? Do të thotë dyfishim i pensioneve për të gjithë pensionistët shqiptarë.

Kjo do të thotë që fermerët shqiptarë të marrin gjithsecili prej tyre mjaftueshëm nga shteti subvencion, që t’ju zerohen të gjitha taksat, dhe çmimit të naftës t’i hiqet edhe akciza edhe TVSH-ja, edhe gjithçka tjetër. 

Kjo do të thotë pagë minimale prej 500 mijë lekësh në Shqipëri. Kjo do të thotë mundësi për të pasur taksën më të ulët për sipërmarrjen. Kjo do të thotë që për qindra mijëra familje në nevojë ekzistenciale të kenë mjaftueshëm ndihmë ekonomike që të mos mbeten pa bukë, pa ujë, pa drita.

Por siç e thotë ajo historia e vjetër, në vend që të kemi të gjitha këto, kemi sharlatanin i cili për 4.5 miliard euro që u ka vjedhur shqiptarëve në këto 6 vite iu kthen vetëm tallje, përbuzje dhe shfaqje të shëmtuara si kjo që dha sot në Parlament.

Populli shqiptar ka një vullnet të përgjithshëm për të ecur përpara dhe si çdo shoqëri ky vullnet i përgjithshëm që të marrë jetë duhet të delegohet dhe të implementohet përmes një sistemi rregullash, politikash, buxhetesh dhe për këtë duhet të ketë një parlament, duhet të ketë një qeveri.

Populli shqiptar sot është i tradhtuar. Vullneti i popullit shqiptar nuk është që të ketë një parlament të ardhur këtu me votën e krimit. Vullneti i përgjithshëm i popullit shqiptar nuk është të ketë një hajdut psiqik i cili vjedh më të dyja duart dhe sa herë kapet në flagrancë vjen këtu pëllet, shan me fjalorin më vulgar duke shpresuar se kjo do të harrohet.

Vullneti i përgjithshëm i popullit shqiptar nuk është të ndalet rrugëtimi europian, të futet edhe Maqedonia e Veriut por ne të mbetemi mbrapa.

Europë do të thotë mundësi.

Europë do të thotë liri.

Europë do të thotë vlera.

Dhe udhëtimi ynë drejt Europës është i dhimbshëm, por mund të jetë dhe duhet të jetë i shpejtë dhe i sigurt. Vetëm ky udhëtim, vetëm ky proces do të na shpëtojë, do të na çlirojë nga e keqja që na ka zënë si shoqëri.

Vetëm ky udhëtim do të na çojë drejt mirëqenies.

Ne duhet të bëhemi të gjithë gati që kjo ditë të mos vonohet më. PD ka propozuar hapet që duhet të hedhim për të dalë nga kjo e keqe; të ndajmë politikën nga krimi, vetingun e politikanëve, t’ia heqim Shqipërinë nga kthetrat oligarkëve që vetëm këtë vit do të fusin 1.5 miliardë lekë të shqiptarëve në investime pa pikë transparence, pa pikë vlere, dekriminalizojmë zgjedhjet dhe  një plan të mirëfilltë ekonomikë që të krijojë pikërisht vlerat europiane këtu në vendin tonë, të mundësive, të lirive, barazisë para ligjit.

Ju po kështu keni qenë dëshmitarë që herë nën efektin e drogës dhe akoma më shpesh me arrogancën që karakterizon një njeri që s’e ka të lidhur fatin me qytetarët, por e ka të lidhur me kriminelët që e kanë sjellë në pushtet. Të gjitha këto iniciativa janë refuzuar.

Ndaj ne duhet të bëhemi gati që dita që dita që ne dëshirojmë të mos vonohet më. Ndaj duhet që gjithsecili të japë ndihmën dhe kontributin e vet që kjo ditë të vijë sa më shpejt dhe ky është qëllimi më madhor i joni si shoqëri. Është qëllimi më madhor i imi dhe i Partisë Demokratike. Është qëllimi më madhor i opozitës.

Sot e vërteta është që ndërkohë që Edi Rama lëkundet midis drogës dhe luksit, në Shqipëri nuk ka punë, nuk ka mundësi të ecësh përpara, nuk ka mundësi të futesh në administratët po nuk morën nga paradhoma e Edi Ramës.

Korrupsioni nuk është më përjashtimi, por standardi.

Shteti nuk kujdeset më për njerëzit. Gjithsecili prej jush të dashur bashkëqytetarë ndihet i vetëm, i vetmuar. E vetmja rrugë për ta ndalur këtë tashmë është që të merrni në dorë fatin tuaj, të bëheni ju zëdhënësit e drejtpërdrejt të vullnetit të përgjithshëm të shqiptarëve, dhe t’ia heqim delegimin kësaj bande hajdutësh që është ulur pas meje dhe në veçanti kryehajdutit. Të mblidhemi rreth njëri – tjetrit, t’i japim dorën njëri-tjetrit, të gjejmë brenda vetes atë që na bashkon, edhe kur kemi pikëpamje të ndryshme politike, të sotmen me halle, të cilën e jetojmë të gjithë dhe të ardhmen që patjetër do të jetë më e mirë dhe që do ta ndërtojmë së bashku.

Dua t’ju them sot nga kjo foltore se nuk jeni jetimë.

Jeni në shtëpinë tuaj, jeni në tokën tuaj, jeni në vendin tuaj.

Por, që ta ndjeni këtë me të vërtetë duhet një orë e më parë, t’i japim fund makthit që ka kapur për fyti, vendin, punët, familjen tuaj, mirëqënien tuaj.

Lidhja me krimin, shit-blerja e votës, na ka sjellë në këtë ditë.

Zëri i Amerikës na faktoi gjithçka që kemi thënë, blerje, fotografim votash, transaksione të drejtpërdrejta mes bandave, të tjera fakte do të dalin në ditët në vjim.

Largimi i ministrave të kapur në këto përgjime, për shit-blerje votash e të zhytur në korrupsion u bë me shpresën se Edi Rama do të shpëtojë veten dhe ata nga drejtësia.  Ju e dini fare mirë që ai prej fillimit e refuzoi vettingun e politikanëve, sot dua t’ju them se vetingu do të bëhet. Se drejtësia shumë shpejt do të veprojë se nuk ka Donika Prelë e Arta Mark, ta shpëtojë as Edi Ramën dhe as ministrat e tij të korruptuar.

Por dua t’ju them se, as futja në burg e Vangjush Dakos dhe ministrave të tjerë të kapur në dosjen 339, nuk e shlyen dot krimin e madh, krimin e të gjitha krimeve, procesin zgjedhor në të cilin është kapur në flagrancë Edi Rama.

Nuk e shlyen dot pasojat e këtij krimi.

Zhytjen e Shqipërisë në renditjen e Transparency International, dhe etiketimin e vendit tonë si Kolumbi e Europës, çdo javë nga mediat më prestigjioze të Europës.

E vetmja shpresë u ka mbetur tek bashkëpunëtorët e sigurimit, dhe të shantazhueshmit që i la në sistemin e drejtësisë por shumë shpejt edhe ata do të largohen me turp.

Vendi është zhytur në krim.

Bandat kanë marrë vendin nën kontroll.

Grabitjet, vrasjet mafioze dhe tritoli, janë bërë pjesë e së përditshmes.

Gjithmonë e më shumë vendi zhytet në mjerim, nga Shkodra në Vlorë, nga Kavaj në Korçë, mjerimi dhe mbijetesa janë fjala e përditshme e shqiptarëve.

Megjithatë shembujt e shpresës i kemi kudo rreth nesh.

Studentët vazhdojnë qëndresën edhe pse Rama u mundua në fillim t’i mashtrojë me propagandë dhe tani po përdor dhunën dhe terrorin ndaj tyre.

Ndaj, me këto shembuj shprese rreth nesh dhe me qartësinë që kemi para shqiptarëve, le t’i japim fund kësaj maskarade.

Le të mos e ushqejmë më përroin psiqik të hajdutit psiqik e ta tregojmë ashtu siç është, ashtu siç e ka nxjerrë Zëri i Amerikës, lakuriq para shqiptarëve: Hajdut votash, hajdut zgjedhjesh, hajdut fondesh, hajdut i pasurive publike të shqiptarëve, hajdut dhe pengmarrës i të ardhmes së shqiptarëve.

Le të zotohemi të gjithë bashkë se me 16 shkurt nuk do të mblidhemi për pushtet, por për ndryshim. Për një ndryshim të madh i cili do të rikthejë shpresën dhe besimin tek vendi ynë, që do t’i rikthejë dinjitetin qytetarëve, do t’ia kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur edhe socialistëve shqiptarë, për të nisur së bashku një betejë pozitive, ideshë, programesh, vizionesh.

Me 16 shkurt, nëse kjo krizë politike nuk përfundon përpara, vullneti i përgjithshëm i shqiptarëve do të shprehet dhe nuk ka forcë ta ndalë. Edi Rama do të shkulet nga karrikja e Kryeministrit.

Fatura e shkuljes së Edi Ramës nga kjo karrike, varet në një masë të madhe, edhe nga ndërgjegjia e socialistëve të ndershëm.

Do ta lejoni që të çojë këtë faturë në nivelet më të larta të mundshme për popullin, për fëmijët tuaj, apo do të bashkohemi të gjithë së bashku e ta mbyllim një herë e përgjithmonë perden e shfaqjes më të shëmtuar dhe më të kushtueshme që ka patur ky popull në kurriz, prej vitit 1990.

Përgjigjen për këtë pyetje unë e marr ditë për ditë, bashkë me kërkesën që 16 shkurti të jetë një ditë ndryshe. Me ndihmën e Zotit dhe bashkimin e shqiptarëve, do të jetë një ditë ndryshe dhe fillimi i ndryshimit.

(Fjala e mbajtur në Parlament, më 31 janar 2019)

Ndaje me miqte