Basha: "Koha për fjalët po mbaron...fjalën do ta ketë vetëm sovrani"?
TV TRIBUNA
04 Qershor 2019
Kryetari demokrat Lulzim Basha ashpërsoi tonet në mbyllje të protestës së opozitës, mbrëmjen e së dielës në Tiranë, kur kërcënoi se “e sotmja është dita e fundit ku unë ju drejtohem me argumentet e arsyes, sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do e ketë vetëm sovrani, vetëm populli”. Manifestimi i radhës do të jetë të shtunën e ardhshme.
Zoti Basha foli nga selia e Partisë së tij, pasi për më shumë se një orë, hyrja kryesore e parlamentit mori pamjen e një fushë beteje, me tym e flakë. Grupe protestuesish lëshuan pa ndërprerje shashka, flakadanë dhe fishekzjarre drejt oborrit të godinës, në brendësi të së cilës qëndronin të rreshtuara forcat speciale të policisë si dhe një automjet ujëhedhës. Pas thirrjeve të përsëritura drejtuar protestuesve që të largoheshin, policia përdori gazin lotsjellës dhe ujëhedhësen.
I gjithë fjali i Lulzim Bashës:
Së pari dua t’ju falenderoj nga zemra, për qytetarinë, për shpirtin e qëndresës, për vendosmërinë që demonstruat sot me praninë më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria, Ballkani dhe Evropa në një protestë për liri, për zgjedhje të lira, pa të cilat nuk mund të ketë demokraci.
Vëllezër dhe motra, qindra mijë prej jush, në këtë protestë sollët me vete energjinë, vendosmërinë, shpresën e besimin tek e nesërmja e re që po lind.
Mesazhi i parë, i qartë dhe i prerë është se Edi Rama dhe banda e tij kriminale do ta harrojnë njëherë e përgjithmonë se mund ta mbajë pushtetin e marrë me dhunë duke dhunuar qytetarët, duke dhunuar votën e tyre, duke vënë kriminelë dhe bedelë të krimit në një proces fals për të imponuar krimin në çdo nivel të qeverisjes. Edi Rama dhe banda e tij ta harrojnë, shqiptarët nuk do të pranojnë dhe nuk do të lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë.
Vëllezër dhe motra, gjatë protestës tonë ne bëmë gjithçka, siç kemi bërë gjithmonë, që asnjë punonjës i thjeshtë i rendit, dhe s’e kam fjalën për horrat që hedhin gazin lotsjellës, që ju godasin çnjerëzisht, por e kam fjalën për ata vëllezër e motra, që ju qan zemra njësoj si shumicës dërrmuese të shqiptarëve, që të mos jenë më të çnderuar, sepse uniformën e shtetit, Edi Rama e ka vënë në shërbim të krimit, në shërbim të drogës, në shërbim të hajdutërisë.
Pavarësisht prej përpjekjeve tona, përgjigjja brutale e kriminelëve të kupolës, që s’kanë asgjë të përbashkët me policinë, me ligjin, me kushtetutën, ishte dhunë disproporcionale, si rezultat i së cilës janë plagosur disa protestues, me fraktura në kokë dhe plagë të thella në këmbë.
Po i them sot Edi Ramës dhe sejmenit të tij, zuzar dhe sadist, Sandër Lleshaj se do të mbani përgjegjësi para ligjit. Se asgjë nuk harrohet e fshihet dhe se përpjekja juaj tinzare për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës, do të marrë përgjigjen e merituar.
Ne nuk hedhim asnjë hap pas.
E sotmja është dita e fundit, kur unë ju drejtohem me argumentet e arsyes, gjithë atyre me përgjegjësi në kupolën socialiste, sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme, fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm populli, vetëm ju.
E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit. E gjithë bota e ka parë se ky është një pushtet që mbrohet me dhunën e krimit dhe bedelëve të krimit në kupolën kriminale të Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut.
Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë.
Harrojeni se do ta mbani pushtetin me dhunë, kthejani sovranit atë që i keni vjedhur sovranit.
Hapini rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e vetme politike.
Lereni sovranin të flasë me votën e lirë dhe jo me kërcënimin e bandave kriminale dhe parave të drogës që përbëjnë sot bandën, kupolën, që i thotë vetes qeveri, por që shqiptarët e njohin si skota më barbare, më e babëzitur dhe më hajdute.
Lëreni popullin të flasë me votë, lerini qytetarët të flasin me votë.
Largohu siç do të ishte larguar me dhjetra herë çdo kryeministër ballkanas, qindra herë çdo kryeministër europian.
Lerë popullin të flasë me votë të lirë e të ndershme ose, ndryshe, ndjeja zërin popullit në protestën e ardhshme.
Asnjë shpresë e vakët e gangove, oligarkëve kriminelë dhe politikanëve të bërë një grusht, se do ta mposhtë apo do ta zvogëlojë bashkimin popullor kundër të keqes, nuk mund të qëndrojë gjallë.
Sot keni bekuar me praninë tuaj, portën e shenjtë të daljes nga kjo krizë e cila është një dhe vetëm një: Porta e vlerave europiane, e zgjedhjeve të lira pa Edi Ramën kryeministër, me qeveri që garanton votën e qytetarëve.
Unë e di që çdo shqiptar sot, nuk kërkon asgjë më shumë se të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë, po që kjo Kushtetutë ka rënë në këmbët e krimit.
Unë e di që luftoni të keni të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian dhe sot dua t’ju përsëris zotimin tim, të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të opozitës së bashkuar, se nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do pranojmë asgjë më pak se Evropa, se Perëndimi, se vlerat që na bashkojnë: zgjedhje të lira e të ndershme.
Lëre sovranin të flasë me votë ose dëgjoja zërin në protestën e ardhshme.
Zoti ju bekoftë Ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë e ëndrrave tona, Shqipërinë e vlerave evropiane!
Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Kështu të gjithë bashkë, edhe më të vendosur, sup më sup me njëri tjetrin, ballëlartë para historisë dhe vogëlushëve tanë dhe atyre që do të vijnë, le ta çojmë këtë betejë për Shqipërinë Evropiane drejt të vetmit destinim, fitores së popullit, fitores së Shqipërisë.
Fitore! Fitore! Fitore!
Zoti ju bekoftë ju!
Mirë u takofshim në protestën e ardhshme!
Ndaje me miqte