Basha reagon për vendimin e Gjykatës së Durrësit: Në Shqipëri ka shpresë
ATSH
17 Korrik 2019
TIRANË, 17 korrik /ATSH – I. Vata/ -Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Durrës pas vendimi për mos dhënien e mandatit të kryetares së bashkisë, Valbona Sakos, duke e konsideruar se ende në Shqipëri ka shpresë.
“Farsa e 30 qershorit ishte masakër e Kushtetutës, e ligjit dhe e standardeve. Dua të përshëndes vendimin e Gjykatës së Durrësit, i cili sjell shpresë se në këtë vend ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajo dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak”, shprehet ai.
Më tej, Basha shton se “farsa e 30 qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai uzurpoi pushtetin vendor, por edhe KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi kolegjin zgjedhor. Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale”.
Ndaje me miqte