0030 210 33 18 483

Basha: S"??ka marrëveshje, 9 kushtet e Budenstagut udhërrëfyes për daljen nga kriza politike

ATSH 05 Tetor 2019

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një interviste televizive ka theksuar se kriza politike vjen si pasojë e asgjësimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sipas Bashës, “9 kushtet e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për daljen e vendit nga kriza politike”, teksa ka shtuar se “kërkesa e Kryeministrit Rama për t’u takuar qoftë dhe në selinë e PD, është një shfaqje e radhës e kreut të qeverisë”.

“Shkaku i vërtetë i kësaj krize është asgjësimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj, e gjithë beteja e opozitës është fokusuar tek zgjidhja e kësaj krize ekonomike, sociale dhe politike. Në këtë kuadër, aksioni ynë nuk është mjaftuar vetëm me protestat, por edhe me një aktivitet të ngjeshur me qytetarët shqiptarë për të konsultuar vizionin tonë, planin tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, me faktorin ndërkombëtar, i cili është një aktor shumë i rëndësishëm edhe në kuadër të integrimit europian, natyrisht edhe brenda koalicionit opozitar për përpunimin e platformës politike për nxjerrjen e vendit nga kriza”, – tha Basha.

Lidhur me një marrëveshje me mazhorancën, Basha theksoi se, “9 kushtet e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për daljen e vendit nga kriza politike. Siç shprehet qartë edhe dokumenti i Bundestagut, zgjidhja e krizës së rëndë politike përbën sot prioritetin numër 1 për Shqipërinë, në mënyrë që të avancojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, – nënvizoi kreu i PD-së.

“Për këtë arsye, opozita ka propozuar një plan masash për nxjerrjen e vendit nga kriza, duke përfshirë propozim për reformën zgjedhore, që është një nga kushtet kryesore, si nga raporti i OSBE/ODIHR-it, ashtu edhe nga 9 kërkesat e Bundestagut dhe nga dokumenti i vitit të kaluar i Këshillit Europian”, – shtoi Basha.

Pyetjes se, çfarë do t’ju bënte ta pranonit Edi Ramën në zyrën tuaj? Kryedemokrati Basha tha: “Asgjë! Sepse kjo tregon që Edi Rama nuk është i interesuar të zgjidhë krizën, por është i interesuar për një shfaqje tjetër. Vendi nuk ka nevojë për një takim për sy e faqe midis një njeriu që e ka zhytur Shqipërinë në një krizë të thellë dhe opozitës që po kërkon daljen nga kjo krizë”, – tha Basha.

“Vendi ka nevojë për rrugëdalje nga kriza, dhe rrugëdalja nga kriza nuk bëhet me shfaqje, por bëhet me zgjedhje të lira e të ndershme, me reformë zgjedhore, me dënimin e atyre që kanë shkatërruar zgjedhjet e 2017, 2015, 2016. Hetimin e plotë të çdokujt në dosjet e famshme 339, 184 dhe me një proces transparent, me pjesëmarrje dhe përfshirje të publikut për një reformë zgjedhore që u garanton qytetarëve që zëri i tyre do të dëgjohet, që vota e tyre do të shkojë aty ku të hidhet dhe që parlamenti i ardhshëm dhe qeveria e ardhshme do të jenë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe jo produkt i vullnetit të bandave kriminale apo të oligarkëve. Kjo i duhet Shqipërisë, dhe këtu çdo palë duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Edi Rama duhet të marrë përgjegjësitë, për kriminelët që solli prapë edhe në procesin e 30 qershorit”, – theksoi Basha.

“Zgjidhja e vetme është zbatimi i këtij udhërrëfyesi që çon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë, me një reformë zgjedhore që u garanton qytetarëve vendimmarrjen për nesër e përgjithmonë. Pra, çlirimin e politikës nga krimi. Çlirimin e shtetit nga kapja e tij nga krimi dhe interesat korruptive dhe kthimin e vendimmarrjes tek qytetarët. Vetëm kështu Shqipëria mund të shkojë drejt Europës”, – nënvizoi Basha.

Ndaje me miqte