0030 210 33 18 483

Basha: Shqipërisë nuk i hapen negociatat pas raportit të ODIHR

ATSH 07 Tetor 2021

TIRANË 7 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama në Kuvend për integrimin e Shqipërisë në BE, deklaroi se në Slloveni 5 vende me peshë kanë vendosur që të mos i hapin negociatat Shqipërisë.

Basha, duke iu referuar Kryeministrit, tha se “edhe para se të ulej në atë karrige, edhe kur ishte kryetar i opozitës, edhe kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, kështu e ka parë politikën, përmes syzeve të optikës se çfarë fiton apo humbet politikani, jo çfarë fiton apo humbet qytetari”.

Ai shtoi se raporti i ODIHR-it me prioritetet që ka lënë e ka katandisur Shqipërinë në nivelin e Bjellorusisë së Lukashenkos.

“Nuk e thotë që në Slloveni, 5 vende anëtare me peshë, kanë vendosur që të mos hapin negociatat edhe nëse Bullgaria heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat pas atij raporti, sepse nuk ka në krye një kryeministër dhe një qeveri që ka ardhur përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por përmes shkrirjes në një të shteti me partinë, si Lukashenko përmes blerjes së votave me paratë e krimit dhe të korrupsionit që u zhvat nga xhepat tuaj. Ju çon ju në kufijtë e mjerimit, që pastaj t’u blejë votën, si Lukashenko”, theksoi Basha.

Ndaje me miqte