Basha: Sikur zgjedhjet e lira të mbahen nesër, PD konfirmohet shumicë qeverisëse
ATSH
30 Korrik 2019
TIRANË, 30 korrik/ATSH/- Kryetari i opozitës Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e pakthyeshëm të opozitës së bashkuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore.
Duke i qëndruar kërkesës për një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, Lulzim Basha tha se të gjithë ata që u përfshinë në vjedhjen e votave, duhet të shkojnë përpara drejtësisë dhe prapa hekurave.
“Të gjitha të dhënat tregojnë se sot opozita e bashkuar është shumicë qeverisëse edhe sikur zgjedhjet e lira e të ndershme të mbahen nesër”, theksoi Basha, duke shtuar se edhe socialistët e ndershëm i thanë jo babëzisë së Edi Ramës dhe sejmenit të tij Taulant Ballës, hajdutit të mineraleve, subvencioneve të fermerëve të Librazhdit.
“Librazhdi, nën kujdesin e hajdutit nr. 2 të Rilindjes, po vuan në çdo fushë. Po vuan fermeri, që nuk ka parë subvencion me sy, infrastruktura ka mbetur në vendnumëro, uji për vaditje është devijuar në turbinat private të Taulant Ballës, papunësia është ulur këmbëkryq. Biznesi i vogël është në një situatë edhe më të keqe. Dhe kjo reflektohet tek përkeqësimi i gjendjes ekonomike në familjet e tyre. Detyrat tona nuk kanë qenë kurrë më të qarta e më akute. Pas çlirimit të vendit nga kjo mostër, duhet të veprojmë me vendosmëri dhe saktësi kirurgjikale”, – tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se masat që synojnë përmirësimin urgjent të klimës ekonomike, do të jenë heqja e taksës Rama mbi karburantin 300 lekë për litër, ulja e çmimit të energjisë elektrike, duke ndihmuar biznesin e vogël, në vendosjen e vetëm 1 takse, duke vendosur subvencione për fermerët.
“Detyra jonë është t’i bëjmë të ditura këto propozime të planit tonë ekonomik, që shumica referendare “Rama Ik” të 30 qershorit ta kthejmë nga mazhorancë refuzuese të regjimit në një shumicë për ndryshim të vërtetë, që do të funksionojë për të gjithë, që ta prekin e gëzojnë të gjithë”, – theksoi kryetari i opozitës.
Ndaje me miqte