Basha: Zgjedhje pa opozitën nuk do të lejohen
TV TRIBUNA
25 Qershor 2019
“Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Nuk do të lejohen. Nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një prononcimi për gazetarët pas takimit me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones.
Basha theksoi se “me shfuqizimin e 30 qershorit nga presidenti, çdo aktivitet është i paligjshëm. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, por është koha kur Edi Rama do të përpiqet t’i kthejë shqiptarët në kohen e votimeve një partiake”.
“Unë nuk kam komentuar asnjëherë takimet me ambasadoret, nuk kam për ta bërë as tani. Shqiptarët janë vetëdijësuar dhe nuk do ta lejojnë. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Edi Ramës”, tha Basha.
Nga komunikimi me gazetarët
Pyetje: Z. Basha, çfarë mesazhi ju përcolli e dërguara me punë e SHBA-së në Tiranë në takimin që patët sot?
Lulzim Basha: Takimet me ndërkombëtarët nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të mia me përfaqësuesit e shtypit.
Pyetje: Zoti Basha, ka një urdhër që qarkullon në fakt në media, sikur ju keni kërkuar nga të zgjedhurit e opozitës në pushtetin lokal dhe kryetarët e degëve që të krijojnë incidente për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Sa është i vërtetë ky urdhër?
Lulzim Basha: Natyrisht, që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës që paguhen me paratë që u vidhen qytetarëve shqiptarë. Është një mashtrim total dhe një shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze?
Pyetje: Për ta kuptuar, si do të pamundësohen zgjedhjet nga ana e opozitës?
Lulzim Basha: Cilat zgjedhje?
Pyetje: Zgjedhjet e 30 qershorit?
Lulzim Basha: Po s’ka zgjedhje më 30 qershor. Shumë pak njerëz nuk e kanë kuptuar këtë. S’ka zgjedhje më 30 qershor. E para e punës nuk ka zgjedhje pa opozitën. Votime bën edhe Koreja e Veriut, por nuk ka zgjedhje.
Pyetje: Por kryeministri mendon se...
Lulzim Basha: S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka që ëshë një standard ndërkombëtar, standard evropian, i çdo vendi evropian, që proces zgjedhor pa opozitën nuk është proces zgjedhor, zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. E dyta, sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh. Dekreti i presidentit të republikës qartësisht ka zhdekretuar datën 30 si datë zgjedhjesh, që do të thotë se çdo hap i Edi Ramës, fushata, të ashtuquajturat mitingje elektorale, takimet me administratën, janë në fakt të paligjshme, sepse ligji shqiptar thotë se nuk mund të bësh aktivitete të tilla deri 30 ditë para zgjedhjeve. Datë zgjedhjesh nuk ka, këto janë aktivitete të paligjshme. Ndërkohë që Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, me opozitën në krye, është e vendosur të mbrojë demokracinë, të mbrojë rendin kushtetues.
Pyetje: Zoti Basha, ju thatë se zgjedhjet nuk do të njihen dhe nuk do të pranohen. A e morët këtë konfirmim edhe nga Ambasada e SHBA-së?
Lulzim Basha: Edhe njëherë, as kam komentuar, as kam ndërmend të komentoj takimet me përfaqësuesit e përfaqësive të huaja në Tiranë, apo me partnerët e mi të huaj, kudo ku janë, me të cilët jam në kontakt të vazhdueshëm. Tani, konfirmimi është i qartë dhe i printuar, e zezë mbi të bardhë, në Gazetën Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do të përpiqet t’i rikthejë shqiptarët në kohën e zgjedhjeve njëpartiake, me bashkëpunimin dhe mbështetjen e krimit të organizuar. Kjo nuk ka për të ndodhur, shqiptarët janë më të vetëdijësuar dhe më të vendosur se kurrë, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur pluralizmin, dhe do ta bëjmë këtë masivisht, sot, nesër, pasnesër me 30 qershor, me 1 korrik sado që të zgjasë kjo betejë, e cila ka një përfundim të sigurt, fundin e regjimit autokratiko-kriminal të Edi Ramës.
Ndaje me miqte