0030 210 33 18 483

Bashkëpunimi ndërmjet dy policive, kapen dy grekë me 200 kg kanabis shqiptar

Tribuna TV 29 Maj 2018

Një operacion i policisë greke pas sinjalizimit të homologëve shqiptarë ka rezultuar me vënien në pranga të dy shtetasve grekë që transportonin një sasi të madhe kanabisi.

Ata u arrestuan në afërsi të kufirit greko-shqiptar, në vendin e quajtur Keramitsa pranë Filatit. Droga ishte ngarkuar në një kamionçinë, që u ndalua për kontroll. Në të u gjetën 167 pako me kanabis, me peshë të përgjithshme më shumë se 198 kilogramë.

Fillimisht u arrestua drejtuesi 60 vjeçar i mjetit dhe u sekuestrua droga. Pak më vonë policia ndaloi edhe një tjetër shtetas grek, i cili me mjetin e vet kishte rolin e pararojës.

Veç drogës u sekuestruan të dy mjetet, si dhe katër telefona celularë.

Siç bëhet e ditur, të dy ata ishin persona të skeduar nga policia greke, për çështje që lidhen me trafikun e drogës, por edhe të qenieve njerëzore, si dhe vjedhje.

Për të njëjtin operacion nxorri një njoftim për shtyp edhe policia shqiptare, ku thuhet se Po bashkëpunohet me palën greke për të identifikuar dhe kapur shtetasit shqiptarë që dyshohet se u kanë shitur lëndën narkotike dy shtetasve grekë.

Ndaje me miqte