0030 210 33 18 483

BE dërgon ekipe shpëtimi në Turqi

ATSH 06 Shkurt 2023

BRUKSEL, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian ka dërguar ekipe shpëtimi në Turqinë e goditur nga një tërmet i fuqishëm, i cili preku edhe Sirinë, njoftoi sot komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.
“Pas tërmetit në Turqi këtë mëngjes, ne kemi aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE-së po koordinon vendosjen e ekipeve evropiane të shpëtimit. Ekipet nga Holanda dhe Rumania tashmë janë nisur drejt Turqisë”, shkroi zyrtari evropian në Twitter.
”Kjo ndihmë i përgjigjet një kërkese nga Turqia”, tha ndërkohë një zëdhënës i Komisionit.
Një tërmet me magnitudë 7,8 ballë goditi Turqinë jugore dhe Sirinë fqinje duke vrarë qindra vetë në të dy vendet dhe duke shkaktuar dëme shumë të konsiderueshme, sipas raporteve fillestare që po ndryshojnë vazhdimisht.
Gjermania, Italia dhe Franca ofruan ndihmën e tyre për popullsinë e rajoneve të shkatërruara, siç bënë Belgjika, Polonia, Spanja dhe Finlanda.
“Ne po ndjekim të tronditur lajmet e tërmetit në rajonin kufitar midis Turqisë dhe Sirisë. Numri i të vdekurve vazhdon të rritet. Ne pikëllohemi bashkë me familjet e viktimave”, shkroi në Twitter kancelari gjerman Olaf Scholz.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se ”Franca ishte e gatshme të siguronte ndihmë urgjente për popullsinë”, si reagim ndaj “imazheve të tmerrshme” të një “tërmeti me forcë të paprecedentë”.

 

Stoltenberg: Aleatët e NATO-s mbështetje të plotë Turqisë pas tërmetit të tmerrshëm
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu sot solidaritetin e tij dhe njoftoi mbështetjen për Turqinë, anëtare e aleancës, pasi vendi u godit nga një tërmet 7,4 ballë.
”Solidaritet i plotë me aleaten tonë Turqinë pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi Stoltenberg në Twitter.
“Aleatët e NATO-s po mobilizohen për mbështetjen”, shkroi ai duke shtuar se ka qenë në kontakt me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm, Mevlut Çavusoglu.

Ndaje me miqte