Këmbëngulja e Francës, përkundrejt shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit europian, bëri që sot Këshilli Europian të mos dalë me një vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të Këshillit presidenti francez Emmanuel Macron tha se njeh përparimin e bërë nga të dy vendet, por se ka ende disa gjëra që duhen zgjidhur.
Ai i mëshoi idesë së tij për reformimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe zgjerimit, të cilin e cilësoi si një proces burokratik.
Nëse ne nuk funksionojmë si duhet me 27 anëtarë, si mund të jetë më mirë me 28, 29 apo 30”, tha presidenti Macron duke ju referuar dhe probelemeve të brendshme të vetë BE-së, për të cilën ai tha se ka “një vizion të ri”.
Nga ana e saj kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh e keqardhur që nuk pati unanimitet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se “Gjermania beson se objektivat e vëna nga Komisioni europian janë arritur”.
Ajo nënvizoi faktin se në rastin e dy vendeve ballkanike nuk bëhet fjalë për hyrje në BE por për nisjen e një procesi.
Ndërsa për kryeministrin italian Giuseppe Conte, mos hapja e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin “është një gabim historik”. AI tha se talia do të propozojë që kjo çështje të trajtohet sërish në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme muajin e ardhshëm duke theksuar se “nëse Europa krijon anthe të tilla në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm që nuk favorizon vetveten, por rrezikon të favorizojë vende të tjera që synojnë të zgjerojnë sferën e tyre të influencës”.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, më herët kishte deklaruar lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, se “kemi vetëdije të plotë që duhet shënuar progres më i madh nga të dy vendet, mirëpo në parim mbështesim hapjen e negociatave, me disa kushte konkrete”.
Cilat janë këto kushte?
“Duhet të jemi absolutisht të sigurt se Maqedonia e Veriut respekton kushtet e marrëveshjes. Ndërsa nga Shqipëria kërkojmë një mbrojtje më të mirë të të drejtave të minoritetit”.
Problemi në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, nuk lidhet vetëm me faktin që nuk patën një mbëhstetje, por dhe me paqartësinë e të ardhmes së vetë procesit. Si presidenti francez Macron ashtu dhe kancelarja Merkel thanë se do i rikthehen kësaj çështjeje përpara samitit për Ballkanin Perëndimor në Zagreb, pranverën e ardhshme, por pa përcaktuar se cfarë konkretisht do të bëhet, në pritje të realizimit të idesë franceze për rishikimin e procesit.
Nga ana e tij komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, u shpreh pas përfundimit të takimit se "udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit europian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian", shkroi Hahn, duke folur për një “zhgënjim ekstrem”. Sipas tij “Shtetet anëtare të BE-së duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.
Komisioneri Hahn përsëriti deklaratat e tij të pak ditëve më parë pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, duke nënvizuar se “ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Refuzimi për të njohur përparimin e faktuar, do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”.