BE mbështet Ballkanin Perëndimor me masa ekonomike dhe projekte investimesh
TV Tribuna
07 Dhjetor 2022
Bashkimi Europian po investon në Ballkanin Perëndimor me masa për mbështetjen ekonomike dhe projekte investimi në kuadër të angazhimit të vet ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të këtyre vendeve, theksuan nga Tirana liderët europianë pas përfundimit të samitit të 6 dhjetorit.
Dialogu ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor ka marrë një dimension më të përforcuar pas invazionit rus në Ukrainë, pasi influenca ruse në Europën Juglindore konsiderohet një faktor ekzistent dhe destabilizues.
“BE është më tepër se kurrë e përkushtuar në një të ardhme të përbashkët, që nga përballimi së bashku i krizës energjitike deri te krijimi i më shumë shanseve për qytetarët dhe bizneset, si marrëveshja e Roaming”, nënvizoi presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Gjatë tryezës së rrumbullaktë u diskutuan projektet investuese me vlerë 30 miliardë euro që miratoi kohët e fundit Komisioni, që synojnë përshtatjen e Ballkanit Perëndimor me politikën europiane për tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, transportet, mbështetjen e sektorit privat dhe zhvillimin e burimeve njerëzore.
Komisioni Europian ka miratuar deri në këto momente 40 projekte.
Për të përballuar shtrenjtimin e energjisë, ballkani Perëndimor do të marrë një miliard euro, në dy këste.
500 milionë për mbështetjen e bizneseve dhe familjeve në nevojë që do të disbursohet në fillim të vitit 2023 dhe 500 milionë të tjerë për mbështetjen afatmesme dhe afatgjatë të një kornize investimesh me synim promovimin e tranzicionit energjitik dhe të sigurisë energjitike.
Gjithashtu, në kuadër të samitit u nënshkrua një marrëveshje nga operatorët më të mëdhenj të telefonisë që ndërlidhin BE-në me Ballkanin perëndimor, për reduktimin e tarifave Roaming, që do të fillojë të zbatohet në tetor 2023.
Samiti shërbeu si një shans për shkëmbimin e mendimeve mbi çështje të rëndësishme, ku Ballkani luan një rol të konsiderueshëm, si menaxhimi i flukseve të emigrantëve, siguria kibernetike, arsimi dhe rinia.
Komisioni Europian ka miratuar një fond me vlerë 70 milionë euro për kufijtë dhe 170 milionë për menaxhimin e flukseve migratore në korridoret e Ballkanit perëndimor.
Për mbrojtjen nga sulmet kibernetike rajoni do të mbështet me 5 milionë euro.
Universitetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në iniciativën për universitetet europiane në kuadër të programit Erasmus+, me të drejta të barabarta me vendet anëtare t[ë BE-së, me qëllim krijimin e më shumë shanseve për brezin e ri.
Ndaje me miqte