Berisha: 2023 do të jetë viti i Revolucionit Demokratik
31 Dhjetor 2022
TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u uroi qytetarëve Vitin e Ri 2023.
“Në prag të Vitit të Ri, dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht Gëzuar Vitin e Ri 2023, kudo që festoni sot, në vatrat tuaja familjare, në lokale, klube, udhëtime, spitale, institucionet e vuajtjes së dënimit. Sot ne festojmë, japim dashuri për njëri-tjetrin, mirënjohje, respekt, admirim, por në mënyrë të pamohueshme jemi të vetëdijshëm se çdo i ri, çdo student, çdo biznesmen, çdo punëtorë, çdo punonjës, çdo fermer që jeton me djersën dhe mundin e tij përballojnë një vit sflitës gjatë vitit 2022”, u shpreh Berisha.
“Një vit të cilin tiparet më kryesore të shkruara në muret e kohës do mbeten, së pari vendosja e monizmit të plotë pas 31 vitesh në Shqipëri bazuar kryekëput në krimin, drogën dhe vjedhjen e votës”, tha Berisha.
“Viti 2022 është viti i vjedhjes deri në palcë i shqiptarëve nga qeveria e tyre. Edi Rama ka tre ditë që trumbeton se do të shpërndajë pas Vitit të Ri 80 milion euro. Kjo është një pilulë elektorale, por e vërteta është së çdo shqiptarë për shkak të vjedhjes që është bërë në bordet e qeverisë shpenzoi për ushqimet dhe ilaçet e tij, më shumë se një rrogë gjatë vitit 2022. Ndaj dhe minimum i korrektesës, i njerëzisë në këtë rast kërkonte një rrogë të 13-të, një pension të 13-të, një ndihmë ekonomike të 13-të, por këto nuk mund të ndodhin sepse qindra milionë vidhen për të fryrë kontot bankare të Edi Ramës dhe qeveritarëve tanë”, theksoi Berisha.
Berisha shtoi se, “viti 2022, mund të konsiderohet viti i opozitës ndaj dhe unë dua të uroj më përulje të madhe bazën e Partisë Demokratike. Dua me përulje të uroj dhe falënderoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët i dhuruan shqiptarëve në një moment kritik për demokracinë e tyre Primaret. Mbollën përsëri votën e lirë. Rikthyen votën e lirë në Partinë Demokratike me vendosmërinë më të madhe për ta rikthyer atë në mbarë shoqërinë Shqiptare”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se, “viti 2022 ishte një vit që ngriti në këmbë opozitën shqiptare. Një mirënjohje të pakufishme për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët e ndoqën me simpati, me dashamirësi ketë zgjim të fuqishëm të opozitarizmit në Shqipëri. Edi Rama sot është më i izoluar se kurrë. Ai kudo që shkon pritet me ‘Rama ik’. Por këto le t’ia lejmë vitit 2022 dhe të angazhohemi e zotohemi ne, se viti 2023 do të jetë viti i Revolucionit Demokratik, viti i shpëtimit të Shqipërisë”.
“Ndaj dhe unë dua të ngre këtë dolli për të gjithë ju kudo që ndodheni sot, gëzime, shëndet, shpresë dhe suksese në realizimin e aspiratave dhe ëndrrave tona Gëzuar!”, përfundoi urimin e tij kreu i PD, Sali Berisha.
Ndaje me miqte